Një konkurs ‘i shkëlqyeshëm’ bukurie për gra të martuara, ka përfunduar në kaos të dielën pas një sherri mes dy finalisteve, çka bëri që njëra prej tyre të largohej e turpëruar nga skena.
Pushpika De Silva u shpall fituese e konkurimit dhe sipas ritualit u kurorëzua Miss ‘Zonja’ Sri Lanka 2021.
Por duke pretenduar se De Silva është e divorcuar dhe nuk kualifikohej për konkurimin, Caroline Jurie, fituesja e edicionit të kaluar që duhet te dorëzonte trofeun, rrëmbeu kurorën nga koka e De Silva dhe ia dha me shpejtësi vajzës së vendit të dytë.
“Ka një rregull që thotë se duhet të jesh e martuar dhe jo e divorcuar, kështu që po veproj për t’ia dhënë kurorën fitueses së vendit të dytë,” tha Jurie për audiencën e shokuar.
De Silva e tronditur nisi të largohej e turpëruar nga skena teksa kurora i vendosej vajzës tjetër.
De Silva tashmë thotë se do të padisë për mënyrën “e paarsyeshme dhe ofenduese” në të cilën u trajtua. Ajo thotë se është vetëm e ndarë dhe jo e divorcuar, kështu që është e kualifikuar për të mbajtur kurorën.
“Kam marrë masat e nevojshme ligjore kundër padrejtësisë dhe turpërimit që më është shkaktuar në event. Unë jam ende një grua e pa-divorcuar. Një mbretëreshë e vërtetë nuk është një grua që merr kurorën nga koka e një gruaje tjetër”, deklaronte De Silva, duke shtuar se të jesh e divorcuar dhe të jetosh veçmas janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Ajo shtonte se ishte kuruar në spital pasi në eventin e organizuar në sallën Nelum Pokuna, ishte lënduar në kokë kur i ishte rrëmbyer kurora.
De Silva, e cila ka fituar më herët konkursin Miss Sri Lanka në 2011, pritet tashmë të rikonfirmohet si fituese e Miss Zonja Sri Lanka dhe do të konkurojë në finalen e Miss Bota për gratë e martuara më vonë gjatë vitit.
Top Channel