“Tito dhe shokët” është libri biografik më i plotë i botuar deri sot për jetën e liderit të Jugosllavisë. Autori slloven Jože Pirjevec, si profesionist i sprovuar në fushën e historisë dhe akademik i mirënjohur, sjell këndvështrime të reja për rrugëtimin e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar në krijimin dhe zhvillimin e një shteti tjetër.

Ky botim hedh dritë mbi disa prej enigmave që kanë shoqëruar figurën e famshme politike të shekullit të 20-të, për të cilën ende flitet dhe debatohet gjerësisht. Duke shfrytëzuar një arkivë të jashtëzakonshme në disa shtete të mëdha, madje dhe dosjet e shërbimeve sekrete më të rëndësishme të botës, Pirjevec vizaton me detaje jetën plot zigzage të Titos, që ua bëri të qartë shokëve që në fillimet e karrierës së tij: “Unë jam përgjegjës për Jugosllavinë! Unë vendos për të!”

Për herë të parë, libri sjell detaje të panjohura nga përplasjet e forta të udhëheqësit jugosllav me Stalinin, flirtet me Çurçillin dhe presidentin amerikan, Nikson, si dhe ndihmat ushtarake dhe ekonomike që përfitoi nga SHBA dhe Anglia.
Roli i Titos në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe organizimin e rezistencës antifashiste. Përse kishte frikë prej shqiptarëve, raportet e vështira me Enver Hoxhën dhe infiltrimi i agjentëve nga Shqipëria në Kosovë…

Në libër përshkruhet me detaje roli dhe veprimtaria politike e shokëve të ngushtë të udhëheqësit jugosllav: Milovan Gjilas, Aleksandër Rankoviç dhe Eduard Kardel.

Në një kapitull të zgjeruar trajtohet jeta private e Titos dhe historia e pesë grave më të rëndësishme që e shoqëruan nga koha e studimeve në Bashkimin Sovjetik dhe deri kur mbylli sytë në vitin 1980.

Lexuesit e hapësirës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, mund të zbulojnë disa nga dilemat e fatit tragjik që ka shoqëruar kombin shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, si dhe shkaqet e vërteta të konfliktit mes Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josip Broz Titos.
Një biografi e plotë, voluminoze, profesionale dhe shumë interesante. Shkruar nga një historian me karrierë të gjatë akademike, i cili në 1 qershor 2020 festoi 80-vjetorin e lindjes. Me një gjykim të ftohtë, mbështetur në dokumente të shumta arkivore nga disa shtete, autori slloven Jože Pirjevec vjen para lexuesit shqiptar me një botim dinjitoz, i cili ështw pritur natyrshëm me kureshtje dhe interes të madh.
Të dhëna për librin
V. Bot 2020
Vendodhja Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha mbi 18 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Përkthyesi Shpresa Rupar

Top Channel