Izraeli i rikthehet normalitetit/ Vaksinohen 80% e popullsisë, por të pavaksinuarit mbesin të izoluar

03/04/2021 00:32

Pasi kaloi pjesën më të madhe të vitit të shkuar mes masave të izolimit, grimjeri nga Tel Avivi, Artyom Kavnatsky, ishte gati të kthehej në punë. Por kur u paraqit për një sesion fotografik, punëdhënësi i tij e ktheu mbrapsht. Arsyeja? Ai nuk ishte vaksinuar kundër koronavirusit.

“Nuk më pranoi sepse nuk isha vaksinuar”, tha zoti Kavnatsky. “Ky është diskriminim dhe nuk është një gjë e drejtë”.

Ritmi tejet i shpejtë i vaksinimit e ka bërë Izraelin një nga vendet e pakta në gjendje që t’i rikthehen në pjesën më të madhe rutinës së para-pandemisë. Baret, bizneset e ndryshme, hotelet dhe palestrat po operojnë normalisht në Izrael, ku rreth 80% e popullsisë në moshë të rritur është vaksinuar plotësisht dhe ku infeksionet e reja si dhe vdekjet nga COVID-19, kanë rënë.

Ndërsa Izraeli ofron një pamje të asaj që do të ndodhte falë nivele të larta të imunizimit, ai gjithashtu ofron një pasqyrë të probleme që shtrohen përpara. Vendet e punës dhe shkollat tashmë po shqyrtojnë mundësinë për të mos i pranuar ata që nuk e kanë bërë vaksinën. Duket se faza tjetër e pandemisë po vë përballë shqetësimet lidhur me shëndetin publik në njërën anë e të drejtat individuale nga ana tjetër ndërsa ngre ndoshta edhe pikëpyetje të reja rreth barazisë. Një çështje e ngjashme ka përfunduar tashmë në gjykatë dhe nuk pritet të jetë e vetmja.

Kompanitë ajrore tashmë po shqyrtojnë nëse do të kërkojnë vaksinën, apo kryerjen pak përpara udhëtimit të një testi me rezultat negativ, si kusht për të udhëtuar, sikurse po bën Bashkimi Evropian. Disa zyrtarë në Britani dhe Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë nëse imunizimi mund të ndihmojë grumbullimet në shkallë të gjerë, megjithëse ndaj këtyre masave në SHBA rezistenca vazhdon të jetë e konsiderueshme.

Në shumë vende, këto vendimet mund të rrisin mundësinë e ndarjes së mëtejshme të popullsise bazuar tek pasuria dhe qasja ndaj vaksinave. Ndërsa shumica dërrmuese e 100,000 palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe kanë leje për të punuar në Izrael janë vaksinuar, imunizimet në Bregun Perëndimor dhe Gaza kanë mbetur shumë prapa.

Shumë pjesë të botës kanë marrë pak, në mos asnjë vaksinë. Deri më tani, Izraeli është mbështetur kryesisht në një seri stimujsh që synojnë të inkurajojnë njerëzit që të bëjnë vaksinën. Ai ka krijuar një “kartë të gjelbër” për ata që janë vaksinuar plotësisht, mbajtësit e së cilës mund të marrin pjesë në koncerte, të darkojnë jashtë, të shkojnë në palestër ose të udhëtojnë për pushime në vende si Egjipti, Qipro dhe Greqia. Ata që nuk kanë leje, nuk e kanë këtë fat.

Sistemi ka fuksionuar mirë në sektorët e argëtimit dhe të kohës së lirë. Por tashmë po hyn edhe në sfera të tjera. Zyrtarët e shëndetësisë kanë rekomanduar ndalimin nga shkollat, institucionet e kujdesit për të moshuarit dhe vendet e tjera të punës me rrezik të lartë të atyre punonjësve të pavaksinuar, të cilët nuk janë testuar kohët e fundit negative për COVID-19.

Organet e kujdesit shëndetësor të Izraelit gjithashtu kanë vendosur me detyrim vaksininimin e të gjithë punonjësve, mjekëve, infermierëve, administratorëve si dhe personelit ndihmës. Nëse ata e refuzojnë këtë gjë do të transferohen në vende pune që nuk përfshijnë kontakte me pacientë në rrezik të lartë.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin se rregullore të tilla mund të rrezikojnë të ardhurat e punonjësve. Shqetësime të ngjashme ekzistojnë në arsim. Universiteti i Tel Avivit, më i madhi i Izraelit, ka gjetur një ekuilibër të vështirë për momentin. Ndërsa universiteti rifilloi mësimet në auditor, zëvendësrektori Eyal Zisser, tha se vetëm studentët që janë të vaksinuar do të jenë të pranishëm fizikisht. Ata që nuk janë, do të vazhdojnë mësimin në distancë.

“Në fazat fillestare, ne po sjellim disa nga studentët bazuar tek karta e gjelbër dhe po i bëjmë studimet të arritshme edhe për pjesën tjetër të studentëve”, tha zoti Zisser. Por megjithë suksesin e Izraelit, qindra mijëra njerëz mbeten të pavaksinuar. Disa që janë kundër vaksinave në përgjithësi, por shumë hezitojnë të marrin një vaksinë e cila u prodhua brenda një kohe të shkurtër. Ekspertët shëndetësisë së OKB-së, SHBA-së dhe Evropës kanë thënë se vaksinat e autorizuara nga Izraeli janë të sigurta dhe efektive.

Grimjeri Kavnatsky, i kundërshton vaksinat dhe ilaçet moderne në përgjithësi, duke thënë se ai nuk dëshiron të fusë “asnjë gjilpërë në trupin e tij”. Dhe ai nuk është vetëm. Ai është një nga mbi 15,000 anëtarët e një grupimi anti-vaksina në Facebook, të cilët janë kritikë ndaj asaj, që ata e shohin si imunizim të detyruar nga shteti.

Rappeh, një parti politike e kryesuar nga mbrojtësi i hapur i lëvizjeve anti-vaksina, Aryeh Avni, mori mbi 17,000 vota në zgjedhjet e fundit parlamentare të javës së kaluar. Ato nuk ishin të mjaftueshme për të hyrë në parlament, por janë një ilustrim i sfidës me të cilën përballen politikëbërësit. Ministria e Shëndetësisë së Izraelit pranon se fuqitë e saj janë të kufizuara.

“Ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit të vaksinohen”, thotë Einav Shimron, nëndrejtoreshë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në këtë ministri. Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael, një organizatë joqeveritare që merret me çështjet e punës, tha se zbatimi afatgjatë “i kartës së gjelbër” ngre një problematikë të mundshme që lidhet me të drejtat civile. Shoqata i bëri thirrje qeverisë të miratojë legjislacionin mbi këtë çështje. “Nëse do të ketë një politikë që cënon të drejtën për punësim dhe të drejtën që një person të zgjedhë atë çka do të bëjë me trupin e tij ose të saj, në mënyrë që të punësohet, atëherë duhet të kalojë nëpërmjet një procesi legjislativ”, tha zëdhënësja Maya Fried. “Duhet të ketë një debat publik”, shtoi ajo.

Ndërkohë debati po zhvillohet aktualisht në gjykata. Në vendimin e parë të rëndësishëm në lidhje me këtë temë të marrë në muajin mars, një gjykatë që trajton shkelje të ligjit të punës në Tel Aviv i njohu të drejtën një qendre kujdesi ditor për fëmijë, të ndalojë një ndihmës-mësues që nuk pranoi të vaksinohej ose t’i nënshtrohej testimit të koronavirusit. Vendimi pritet të apelohet. Dr. Nadav Davidovitch, kreu i shoqatës izraelite të mjekëve të shëndetit publik, tha se beson se njerëzit kanë detyrim të vaksinohen, veçanërisht duke patur parasysh provat se vaksina jo vetëm që parandalon format e rënda të sëmundjes së COVID-19, por gjithashtu mund të zvogëlojë përhapjen e virusit. Izraeli, me 9.3 milionë banorë, ka regjistruar të paktën 6,188 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

“Ne e shohim vaksinimin si një akt solidariteti, jo vetëm një zgjedhje individuale”, tha ai. Megjithatë ai tha se kundërshton vaksinimet e detyruara ose pushimin nga puna të njerëzve sepse refuzojnë të vaksinohen. Në vend të kësaj, ai favorizon qasjet alternative, siç është edukimi apo përpjekja për t’i bindur. Ata që vazhdojnë të refuzojnë, mbase mund t’u jepen punë të ndryshme, të punojnë në distancë ose t’i nënshtrohen testimeve të shpeshta. Zoti Davidovitch, një ish-epidemiolog ushtarak, ka përvojë me këtë çështje. Ai tha se mbi 90% e rekrutëve izraelitë të cilët nuk dëshironin të vaksinoheshin përfundimisht ranë dakord pasi u edukuan nga ekspertë të mjekësise. “Mendoj se është një ide e keqe të kalosh menjëhere tek detyrimi”, tha ai. “Shumica e njerëzve hezitojnë. Ata përgjithësisht nuk janë kundër vaksinimit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA