Ushtruesi i detyrës së kryetarit të partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se ajo që po ndodh në Qeverinë dhe në Kuvendin e Kosovës, është “dramë të turpit”.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar që Ligji për zgjedhje dhe ndryshimet në të nuk mund të jenë iniciativë e vetëm një partie dhe reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa mbështetjen e institucioneve relevante ndërkombëtare, pa një pako të reformës, pa mbështetje të OSBE-së dhe pa mbështetjen e Komisionit të Venecias.
“A e dini se si e ka emrin një proces i tillë, ku ligji për zgjedhje përmbyllet për 12 orë? Emrin e ka ngufatje e demokracisë. Emrin e ka fund i demokracisë. Ne si Parti Demokratike e Kosovës, në emër të qytetarëve, në emër të votuesve tonë, nuk pranojmë që t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt. Kemi qenë dhe do të mbesim front për ta mbrojtur demokracinë e re në Kosovë, e cila është ndërtuar me shumë mund dhe shumë sakrifica”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shtuar se qytetarët duhet ta dinë se është kryeministri Albin Kurti ai, i cili dëshiron zgjedhje të parakohshme dhe se ai “ka frikë nga pushteti dhe nuk dëshiron të marrë përgjegjësi”.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka iniciuar ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet, që i mundëson diasporës të votojë në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Kjo nismë u tha se do të dërgohet në kuvend, para seancës për zgjedhjen e presidentit.
Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar nga Kurti që të tërheqë këtë ligj.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se ka siguruar nënshkrimet për thirrjen e seancës për presidentin.
Si kandidatë për president janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Top Channel