Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë/ Jemi rritur me Çufon dhe Bubin kaçurrel, por a e dini sa vite iu deshën autorit për të krijuar këta personazhe?!

02/04/2021 16:44

2 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë.

Pothuajse të gjithë janë të një mendjeje se letërsia shqiptare për fëmijë përfaqësohet nga “Çofo dhe Bubi kaçurrel” i Gaqo Bushakës. I ftuar në “Shqipëria live”, autori nuk është modest, kur thotë se është një punë e madhe pas këtij libri. “Kam punuar me Çufon për 23 viote, është  gjithë ajo punë”.

Megjithatë, Bushaka tregon dhe për vështirësitë e shkrimtarëve për fëmijë. “Me letërsinë për fëmijë janë marrë shumë pak, sepse nuk sjell fitime, madje ka humbje. Duhen dhe subvencione nga shteti”.

Sipas tij, “gjithmonë ka libra të mirë për fëmijë në Shqipëri”, por nuk është dakord që autorë të jenë vetë fëmijët. “Një libër për fëmijë, nuk shkruhet nga fëmijë, nuk di teknika të të shkruarit, por mbi të gjitha nuk di gjuhën”. Përveç kësaj, shton se të shkruash libra shqip për fëmijë, duhet të kesh gjuhë amtare, gjuhën shqipe, “për të shkruar siç duhet shqip dhe ta kuptojnë fëmijët”.

Ndërkohë, Rudina Xhunga, autore e “Përrallat e Pitilushet” dhe  “Tregimet e Pitilushes”, tregon se historitë e librave janë personale. “Pitilushja është rrjedhojë e marrëdhënies sime me vajzën, është totalisht e përjetuar”. Por, edhe sipas Xhungës, botimi i librave për fëmijë, nuk ka asnjë fitim financiar. “Është shumë e kushtueshme. Kam kërkuar mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, nuk më është dhënë, por unë vazhdoj, edhe pse nuk kam asnjë fitim”.

Për Natasha Poroçanin, autore e disa librave për fëmijë, letërsia për fëmijë “vuan nga mungesa e vëmendjes”. “Mendoj që sot ka libra shumë të mirë. Por letërsia për fëmijë është pak e studiuar. E konsideroj mungesë vëmendjeje. Sot, vërtet duhet të shpenzosh për të prodhuar një libër, është shumë i kushtueshëm. Edhe mua, në fillim,  3 shtëpi botuese ma kanë refuzuar me pretendimin se nuk ecën letërsia për fëmijë, madje nuk ecën letërsia e autorëve shqiptarë”.

Top Channel