Murali gjigand në mbështetje të gazetarit Julian Assange prezantohet në ndërtesën në Berlin

31/03/2021 18:46

Një pikturë murale e kreut të rrjetit WikiLeaks, Julian Assange, e titulluar “Kryqëzim Kolateral”, është prezantuar sot në Berlin, e cila përshkruan në mënyrë grafike persekutimin e aktivistit të të drejtave të njeriut nga qeveritë amerikane e britanike.

Rrjeti WikiLeaks gjithashtu shpërndau imazhin e muralit 20-metra të lartë në Berlin, i cili ndërgjegjëson për problemin e kreut të arrestuar të rrjetit, duke e quajtur “mbrojtës të lirisë së shtypit dhe denoncues të abuzimeve të kompleksit ushtarako-industrial, me flamurin hibrid SHBA-Britani”.

Tre artistë të paemëruar kanë punuar për muralin që kritikon abuzimet e shoqërisë dhe politikës. Titulli i tij “Kryqezim Kolateral”, i referohet viktimave te pafajshme ne konfliktet e armatosura kryesisht nën drejtimin e SHBA, të cilat në gjuhën ushtarake janë quajtur shpesh “dëme kolaterale”.

Berlini ka gjithashtu një statujë bronzi të Assange të ngritur në 2015.

Gazetari mbetet aktualisht në burgu e sigurisë së lartë Belmarsh pranë Londrës, teksa përballet 175 vjet prapa hekurave nëse shpallet fajtor për spiunazh në SHBA.

Uashingtoni ka ngritur 18 akuza ndaj Assange të cilat kanë lidhje me publikimin nga WikiLeaks të rreth 250,000 dokumenteve ‘të klasifikuara’ të ushtrisë amerikane mbi operacionet në Irak e Afganistan.

Prezantimi i muralit vjen pas mbështetjes ndërkombëtare kundër ekstradimit të tij në SHBA, dhe dy ditë pas një mesazhi mbështetjeje që Papa Françesku i dërgoi atij në meshën e të dielës.

Raportuesi i OKB, Nils Melzer, ka thënë pas vizitës ndaj Assange se gazetari tregon shenja torture psikologjike dhe mirëpriti shtyrjen e ekstradimit në SHBA.

FOTO GALERI
2/4
Ajo përshkruan në mënyrë grafike persekutimin e aktivistit të të drejtave të njeriut nga qeveritë amerikane e britanike.

Top Channel