Nga Shpendi Topollaj
Mustafa Greblleshi, autor i një romani aq të lexuar, me titullin “Gremina e dashurisë”, botuar në vitin 1943 dhe pastaj me “Albumi i një bojaxhiu” (1960) apo përkthyes aq i talentuar i disa shkrimtarëve të shquar, ai ishte bërë i njohur dhe i dashur për këdo qysh para çlirimit të vendit. Ishte bërë i tillë, kryesisht me artikujt e tij plot kulturë, për mprehtësinë e gjykimit në analizat e tij, kurajon për të demaskuar të keqen dhe për dashurinë për atdheun, të cilin e donte të ndërtuar mbi baza demokratike dhe qytetërimi.
Por kur pa se pas çlirimit, në Shqipëri u instalua një regjim sa i padrejtë aq dhe gjakatar, kur u bë dëshmitar i arrestimit dhe zhdukjes së babait të tij (të cilit kurrë nuk iu gjet varri), që ishte njeriu më paqësor që pati njohur, kur përjetoi vetë vuajtjet e burgut, ku as nuk dinte pse kishte hyrë dhe pse do të dilte, sikurse shprehet për të Ismail Kadareja, ai normalisht që u ndie i fyer dhe i zhgënjyer, aq sa e gjeti më të udhës ta braktiste artin e të shkruarit dhe të kapte furçën e pompën për të lyer shtëpitë e kujt të mundte, ndofta edhe duke i lënë të habitur e me gojën hapur të gjithë ata që i prisnin me interes artikujt e tij, me nënshkrimin Liu i Cakeut, në gazetat e një periudhe të rëndë që diktonte pushtimi fashist.
Pas kësaj, sikurse shprehet shkrimtari ynë gjenial Ismail Kadare “Mustafa Greblleshi nuk u përmend më asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i harruar…” Ai mbylli sytë vetëm një vit pas diktatorit tonë, që mbante si atribute jo mburojën, skeptrin dhe çekanin si në mitologji, por drapërin e çekanin, për të prerë koka e për të shtypur këdo që i mbushej mendja. Nuk i mbeti tjetër, veçse të hidhte në letër kujtimet e së shkuarës, duke u kujdesur të mos e prekte sado pak politikën zyrtare, e cila çuditërisht ishte më e egër edhe nga ajo e pushtuesve. Por këto janë gjëra të njohura, dhe nga ana tjetër, Ismaili i sqaron aq bukur e bindshëm në parathënie. Prandaj, do përpiqem të jap përshtypjet e mia dhe gjithë admirimin tim për këtë njeri dhe intelektual, tek i cili ishin bashkuar aq mirë horizonti i gjerë me dëshirën e sinqertë për ta vënë atë në shërbim të popullit. Për këtë shkrimtar dhe gazetar fatkeq që edhe pas botimit të këtij libri kaq domethënës, thuajse i ka shpëtuar vëmendjes së kritikës tonë. Periudha ku e çojnë dhe na çojnë kujtimet e Mustafait ka qenë mjaft e trazuar për fatet e kombit shqiptar. Ai qe nxënës gjimnazi kur erdhën ushtarët e Musolinit dhe u bashkua me revoltën e përgjithshme, ku dhe plagoset dhe me atë që dhëndrri i Duçes, Konti Çiano e raportonte:
“Në fytyrat e zymta të shqiptarëve dukej hapur urrejtja e shfrenuar që kishin për ne.” Atij i kishte mbetur në mend veprimi i të riut Xhemal Rexha i cili sapo kishte kryer akademinë ushtarake, vrau veten kur pa se italianët pushtuan vendin e tij. Po ashtu, një përshtypje të madhe i bëri mbyllja e bibliotekës “Karnavon”, të cilën ai e shihte si tempull të shenjtë, ku shlodhte mendjen e shpirtin. Në Tiranën e atyre viteve, edhe pse luftë, jeta vazhdonte. Vetë Mustafai, pas traumës që pësoi i ati oficer dhe mbylljes së tij në vetvete, i duhej të ndiqte shkollën apo edhe të punonte për të mbajtur familjen. Fillimisht, duke qenë se zotëronte gjuhë të huaja, e gjen të udhës të shoqërojë të sëmurët e pashpresë, sidomos nga tuberkulozi që bënte kërdinë, në spitalet jashtë shtetit. I dhemb në shpirt vuajtja dhe vdekja e djemve dhe vajzave të reja. Ato fytyra të verdha, në ngjyrën e vdekjes, dhe ata sy me vështrim të shuar nuk do t`i harrojë kurrë. Ndërkohë, i mundësohet një vend si bashkëpunëtor dhe redaktor gazetash si “Njeriu”, “Tomori”, “Bashkimi i Kombit”, “Roja kombëtare”, “Shqipnia”, e Radio Tirana.
Qe një punë mjaft e pëlqyer, ku veç të tjerave, i krijoi rastin të njihej me mjaft figura të rëndësishme të kryeqytetit, jo vetëm të gazetarisë, letërsisë dhe artit, por edhe të politikës. Disa prej tyre ishin Haki Stërmilli, Stefan Shundi, Astrit Delvina, Vasfi Samimi, Kristo Frashëri, Xhelal Mitrovica, Kostandin Kote, Kamber Qafmolla, Gjergj Bubani, Ibrahim Kodra, Timo Dilo, Fiqiri Llagami, Mitrush Kuteli, Vangjel Kota, Selman Vaqari, Gjergj Dako, Beqir Valteri, Tefta Tashko, Kristaq Antoniu, Qazim Mulleti, Xhelal Staravecka, Cafo Beg Ulqinaku, doktor Sadedini, Leonidha Naçi, Kika Sherko, Tasim Bishqemi, Stavri Leka, Halit e Hasan Jero, etj. etj. Ai në libër, flet për ta dhe përpiqet të jetë sa më objektiv në portretizimin që u bën. Fjala vjen, kur përmend njerëz si av. Myzafer Pipa, Qemal Draçini e ndonjë tjetër, e pohon hapur miqësinë me ta, por për faktin se regjimi i kishte goditur keq, deri dhe burgosur e pushkatuar, shprehet se jam trishtuar shumë për tragjedinë që u ndodhi. Në faqet e librit me fjalë të kursyera jepen ndodhi e skena herë komike e herë serioze, ku dallon mençuria dhe sidomos erudicioni i këtij autori. Ngjarjet në skenën e luftës së dytë botërore, zhvillimet në Itali, Gjermani apo dhe në Shqipëri jepen me një saktësi e kthjelltësi të habitshme. Vetë autori del nga situata falë një zgjuarsie e gjakftohtësie të pazakontë.
Kështu, kur atë e çojnë te koloneli i kuesturës Fiorito për një shkrim humoristik për tabelat e dyqaneve, emrat e të cilëve shkruheshin në gjuhë italiane, ai e zbut inatin e tij, duke i kujtuar humoristin e madh Trilussa dhe pastaj duke i deklamuar pjesë pafund nga komedia Hyjnore e Dantes dhe duke e mbyllur me vargjet lapidare të Fishtës: Edhe atij ju thaftë goja / Që përbuz kët gjuhë hyjnore, / E n`gjuhë tjetër, kur s`asht nevoja / Flet e t`veten len mbas dore. Greblleshi na e jep Tiranën dhe gjendjen ekonomike dhe shpirtërore të banorëve të saj gjatë atyre viteve, me besnikëri të pashoqe dhe duke u mbështetur nga hotel “Dajti” deri rrotull pazarit të Vjetër. Mjaft të goditura janë bisedat e tij plot mprehtësi si me njerëz të zakonshëm, por me nuhatje të çuditshme, ashtu edhe me kolegë, si për shembull me sekretaren Meri, ku spikat niveli i lartë i kompletimit të tyre me dije rreth fushave të ndryshme e sidomos ndaj letërsisë botërore. Janë mjaft interesante pjesët ku ai bën fjalë për vizitat e tij jashtë shtetit, si në Itali, ku duke bredhur rrugëve, sodiste gjurmët e Perandorisë së lashtë Romake, ku i faniten hijet e Çezarit, Pompeut, Neronit, Brutit e Polipit me shokë.
Ai i njeh mirë ata dhe sikur kërkon vendin ku Flaviusi, ai komandanti trim i dënuar me vdekje, para se të vendoste kokën në trug i tha xhelatit: “Ku të gjetën ty që nuk ke fare nishan?” dhe që s`u gabua, pasi Nigerit ju desh ta qëllonte me sopatë disa herë. Atë, kudo që shkonte e ndiqnin pas shëmbëlltyrat e njerëzve të mëdhenj që ai vend kishte nxjerrë që nga Ovidi e filozofi Boeci e deri te poeti, dikur skllav, Andronik Livio që pat përkthyer “Odisenë”. Kudo sikur ndesh fjalët e idhullit të borgjezisë liberale Volterit që shprehej se “Romakët kanë qenë një popull i vogël piratësh. Ligjet dhe kulturën i kanë marrë nga grekët.”
Dhe për këtë, bindet kur shkon vetë me një delegacion në Selanik e Athinë, pranë Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për të siguruar ndihma për popullin e tij që lufta e kishte çuar në mjerim dhe varfëri të plotë. Dhe sa i lumtur ndihet ai kur këto ndihma sigurohen. Këtu, pra në kapitullin e kësaj vizite, stili i Mustafa Greblleshit arrin majat, erudicioni i tij merr përmasat e vërteta. Vështirë që dhe vetë intelektualët grekë ta njihnin më mirë trashëgiminë e tyre mitologjike. Periudha e komunizmit u mundua të na rrënjosë bindjen se mitologjia greke, natyrshëm është një releks i perceptimit të jetës në çdo aspekt të saj, por që pasqyron një periudhë të përcaktuar qartë. Kurse Greblleshi e shihte atë si një fenomen që do të na ndiqte pas gjithë jetën me mësimet e veta të vyera. Ai e lidhte atë me filozofinë që grekët e vjetër formësuan dhe me dramat e tragjeditë që korifejtë e atij vendi nxorrën në dritë dhe që do të përsëriteshin pambarimisht. Ai pra, jo më kot, kur ndodhet në Akropol, thotë:
“Si duket, sytë e të huajve dinë ta sodisin më mirë dritën e Greqisë.” Ai e njeh shkëlqyer historinë e Greqisë që nga Platoni e Sokrati e deri në ditët tona. Ai njeh burrat e shtetit, që nga Kekropi, Ereteu, Pisistrati, Themistokliu e Perikliu dhe arkitektët, skulptorët dhe piktorët si Fidia, Panenos, Alkamesi, Kresilau, Kalikrati etj. Dhe shkruan si një enciklopedist i vërtetë, si një europianist i mirëfilltë. Mustafai ndien krenari kur miku i tij i ri, gazetari Stratis Steriopullis, i mrekulluar nga sa dëgjonte nga goja e tij, e çon te statuja e krijuesit të parkut “Zapion” dhe disa shkollave të dhëna si dhuratë Greqisë, katundarit nga Labova dhe i thotë se ky njeri dikur i varfër, pasi u ndesh me Zanën e fatit, dhe u pasurua si aksioner vajguresh në Rumani, caktoi një fond për djemtë e fshatit të tij të krishterë dhe të Picarit muhamedan që çdo vit të dërgonin nga pesë të tillë për t`u arsimuar. Dhe pasi sillet e përsillet në pafundësinë e pyllit kulturor grek, Mustafa Greblleshi nuk harron të kujtojë se zonjusha Marianthi kur e ftoi që të merrte pjesë në kremtimet e Delfit, i shpjegon se fjala greke “adhelfi” donte të thoshte vëllezër.
“Pra, qëllimi i kremtimeve të Delfit ishte vëllazërimi i njerëzve.” Po ashtu, ai nuk lë pa përmendur fjalët e tjera të grekes me buzëqeshje dhe sy të bukur Marianthi Alendrinos se “Historiani Mendelssohn Bartholdy historinë e Rilindjes Greke e nis nga Ali Pasha. Marko Boçari, hero i indipendencës greke, është gjithashtu shqiptar. Amalia, e para mbretëreshë e Greqisë, fliste shqip me shkrimtarin filoshqiptar doktor Reinhold. Kryepeshkopi i Negropontit e përktheu në shqip ungjillin dhe i tha Othonit, të parit mbret të Greqisë: “Alvanon arkeis, Megaliotate”, pra “Mretëron te shqiptarët, Madhëri. Dhe kur miku i tij Rexhep Mitrovica, sekretar në ministrinë e Kulturës e cakton të shkojë në Kosovë për të parë Pejën e shndërruar në gërmadhë nga avionët aleatë, Mustafai sa nuk vë shpirtin e tij në fjalët që shkruan pena. Po ndalem vetëm te një rast. Kudo që shkonin, njerëzit prisnin në radhë për t`i marrë anëtarët e delegacionit nga Tirana për drekë a darkë.
“Në Prizren, një burrë i gjatë, i heshtur e hijerëndë (të tillë ishin në përgjithësi kosovarët), iu vardis shumë Cafo Beg Ulqinakut që t`i bënte një nder të madh; të shkonim tek ai për drekë ose darkë. Dhe, kur Cafo Begu, duke falenderuar, i tha se ftesa të tilla i kishin bërë qindra të tjerë dhe se nuk dinte se kujt t`ia prishte e kujt t`ia ndreqte, kosovari ia priti me një ton që nuk i kundërshtoje dot: – Atëherë, ju pres nesër as për drekë as për darkë, por për mëngjes. Nuk besoj t`i ketë shkue kuj mendja me ju ftue për mëngjes, se nuk e kena zakon. –
Dhe autori vazhdon më tej: – Nuk më harrohet mëngjesi që kemi ngrënë në atë shtëpi të qetë e të pastër të Prizrenit, qytetit të Lidhjes së famshme. Shtëpia ishte ndën kalanë, e kredhur në gjelbërim. Tryezat ishin shtruar në oborr, ndën një pjergull të madhe, të mbushura me mishra të pjekur, paçe, byrekë e ëmbëlsira që nuk bëhen as në dasma.”
Pavarsisht sesa u përpoqa të bëj të pranishme nga krijimtaria e paktë e këtij autori që talentin ia prenë në mes, për ata që nuk kanë arritur ta njohin ose të paktën, ta lexojnë librin e tij, botuar kryesisht nën kujdesin e Anna Shkrelit (Greblleshi), në mbyllje dua të kujtoj se ashtu sikurse thosh Antoine De Sant – Exupery se “Përsosmëria arrihet jo kur nuk ke asgjë tjetër për të shtuar, por kur nuk ke asgjë tjetër për të hequr.” Dhe nga ajo që na la ky autor, aq i dashur dikur, por ende në hije sot, nuk ka asgjë të tepërt, ndaj si i tillë, Mustafa Greblleshi, ashtu si Migjeni e ndonjë tjetër, me pak fletë, na la kujtime të mrekullueshme dhe ndriçoi një periudhë të errët të historisë tonë që jemi mësuar ta rëndojmë me kolaboracionistë e tradhtarë.
Po ashtu, gazetarë, shkrimtarë dhe atdhetarë të tillë kanë meritën e njohjes dhe përhapjes nga të parët të kulturës perëndimore, ç`ka përbën kushtin themelor mbi të cilin ngrihet e drejta jonë e padiskutueshme për t`u përfshirë si të barabartë në familjen e sotme europiane.
Top Channel