Rriten infektimet në Kosovë/ Në spitale nuk ka më vende, apel për kujdes

20/03/2021 17:37
Foto ilustruese

Në Kosovë, po rriten shumë shifrat e infektimeve të reja me koronavirus ditët e fundit, që ka ndikuar të intensifikohen thirrjet për kujdes për shkak të rrezikut të mbingarkimit të spitaleve.

Agjencia e lajmeve “Kosovapress”, ka hyrë në spitalin e mjekësisë sportive, ku të lirë kanë mbetur vetëm 5 shtretër ndërkohë që 90 të tjerë janë zënë me pacientë me koronavirus. Përgjegjësi i mjekësisë sportive, Artan Ahmeti, thotë se tashmë kapacitet po ezaurohen ndërkohë që gjendja e disa pacientëve është e rënduar pasi kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Vetëm në tre javët e fundit kemi çdo ditë rritje të pacientëve që kërkojnë shtrim në spital. Pacientët janë mesatarisht të rëndë dhe të rëndë, pasi kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese….”, u shpreh Artan Ahmeti.

Në këto kushte, Ahmeti thotë se ka nevojë për staf ndihmës. Në hapësirën e brendshme, përveç zhurmës së aparaturave, vështirë të mund të dëgjohet gjë tjetër, pasi shumica e pacientëve janë në gjendje të rëndë. Pacientët e shtruar prej ditësh në spital, falenderojnë mjekët dhe bëjnë apel për respektimin e masave anti Covid.

 “Le të besojnë, nuk është grip por është një armë që vret në heshtje, pa u pa askund. Iu lutem qytetarë, maska, distancë, higjenën, preferencat e mjekëve, në çdo rast për të mirën tonë se janë në ballë në luftë që tash i kemi heronj”, tha Vahide Gashi.

Blakcori shton se “Duhet me pas shumë kujdes, me rujt distancën, pastërtinë, përndryshe është problem”.

Shifrat në Kosovë vazhdojnë të rriten ndërkohë që vendi është i vetmi në Evropë që nuk ka as edhe një dozë të vaksinës anti Covid.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA