Kryeministri Edi Rama ka folur në Lezha për zgjedhjet e 25 prillit dhe ka thumbuar Ilir Meta për deklaratën e tij se do të japë dorëheqjen nëse PS fiton mandatin e tretë.
Nga Lezha ku prezantoi kandidatët për deputetë të PS, Rama tha se zgjedhjet janë shansi për këdo që do të çlirojë presidencën dhe kushtetutën nga Ilir Meta. Nuk mungoi ironia për Lulzim Bashën, për të cilin thotë se është kukull që nuk argëton askënd e nuk i duhet askujt.
“Në fund të fundit, troç fare, është një zgjedhje mes drejtësisë së re dhe Ilir Metës. Kush zgjedh, sidomos LSI, zgjedh Ilir Metën dhe jo drejtësinë. Dhe duke qenë se Ilir Meta është i gatshëm të japë dorëheqjen sic ka thënë pas 25 prillit kur të fitojmë ne dhe ne do fitojmë, ky është rasti për të gjithë ata që duan ta çlirojnë këtë vend nga barra gjithmonë e më e rëndë që i krijon ky njeri që ka marrë peng Presidencën dhe Kushtetutën duke e shpërfytyruar komplet.
Të bëjnë zgjedhjen e qartë, Lulzim Basha nuk është rrezik për demokracinë, nuk është problemi i këtij vendi por është kukull në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës që e kanë lidhur me zinxhirin e Monikës dhe është një kukull që nuk argëton askënd, përkundrazi nuk i duhet askujt.
Kështu që, edhe në këtë sens besoj që është koha për të bërë një zgjedhje konkrete për familjen, për qytetin, për fshatin, për vendin e punës të secilit në sensin që duhet një zgjedhje për të shkuar përpara, për të rritur pagën minimale për të gjithë ata që sot marrin 300 mijë lekë, për të ulur tatim fitimin e atyre që marrin 2.5 milionë në muaj.
Nuk kemi alternativë qeverisëse në Shqipëri përveç PS dhe mbi të gjitha nuk mundet dot ta vëmë në rrezik gjithë këtë punë kolosale duke i lënë një shteg mbijetese në pushtet Ilir Metës. Kjo është më e thjeshta besoj, pa dashur të them aspak që ne këtu jemi një skuadër ëngjëjsh dhe tjerët janë djajtë. Ne jemi shqiptarë të gabueshëm si të gjithë dhe përderisa ne jemi të ngarkuar me punët e këtij vendi, sigurisht që kush punon gabon, kemi gabuar dhe bërë gabime që i dimë. Me siguri ka gabime që nuk i dimë. Jemi të vetëdijshëm që jemi më të mirët në këtë vend, sigurisht jo më të mirët e mundshëm por për këtë duhet të reflektojmë mbi boshllëqet e sfidat. Çdo ditë përpiqemi.
Në fund, dua të siguroj të gjithë ata që na ndjekin, sidomos ata që na ndjekin nga ky qark, kurbinas, lezhjanë, malësorë e mirditorë, që të kenë shumë besim se më të keqen e kemi lënë pas dhe më të mirën e kemi përpara për Lezhën dhe Shqipërinë”, tha Rama.
Top Channel