Pakicat jo serbe në Kosovë/ Dorëzojnë ankesë për rezultatin e zgjedhjeve

05/03/2021 14:19

Partitë nga komunitetet joserbe në Kosovë kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar që të anulohen votat e komunitetit serb për partitë boshnjake dhe rome në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe. Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat, e cila, sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk arriti të fitojë ulëse, tha se komunitetet joserbe janë të gatshme që këtë çështje ta dërgojnë deri në Gjykatën Kushtetuese, nëse PZAP-ja dhe më pas Gjykata Supreme i hedhin poshtë pretendimet e tyre. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institut ky që i ka ofruar ndihmë juridike falas komuniteteve joserbe, tha se bëhet fjalë për manipulimin e rreth 10 mijë votave. Komunitetet joserbe thonë se “Iniciativa Rome”dhe “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë pjesëtarë të këtyre komuniteteve.

Sipas rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Iniciativa Rome” ka fituar dy vende në kuvend, ndërkaq partia boshnjake, “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhic”, ka fituar një vend. Vetë Hoxhic, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe. Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tre vende në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy vende, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë janë të garantuara nga një vend si dhe një vend shtesë për një nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një vend i garantuar i takon edhe komunitetit goran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA