Ustai që nuk ka moshë/ 80 vjeçari që edhe pse ka dalë në pension vijon të punojë çdo ditë

27/02/2021 19:45

Me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë disa profesione po shkojnë drejt zhdukjes, po Luan Çaloku vijon të mbajë gjallë profesionin e tij në Durrës, ku të gjithë e njohin si usta Lani. 

Luan Caloku: Me këtë profesion unë kam punuar 55-60 vjet pa pushim. Tani jam rreth të 80-ve. Kam punuar në bazën mekanike të hekurudhës si axhustator-saldator. Kam punuar me lokomotivat që ende janë në qarkullim.’

Me ndryshimin e sistemit, Hekurudha Shqiptare po kalonte kohë të vështira. Luani del në pension të parakohshëm dhe nis aktivitetin privat.

”Atëherë doli një ligj për të dalë në pension 50 vjeç me 60% dhe unë doja të nisja  aktivitet privat’’.

Sot, makineritë e kanë lehtësuar shumë punën e tij, por ato nuk mund ta zëvendësojnë dorën dhe mendjen e njeriut.

”Më parë merrnim llamarina që i punonim me dorë. Merrnim formën për masën e çelësit dhe e vendosnim në morsë. Tani ka makina shumë të mira e që punojnë me cilësi të lartë.”

Teksa bën kopje të çelësave të humbur apo dëmtuar nga klientët, mjeshtri tregon se ky është një proces i vështirë dhe delikat që duhet të ofrojë cilësi dhe siguri.

”Kam dhe një dhomë tjetër ku bëj punët mekanike dhe po të jenë këto pajisje atje mund të abuzohet nga ndokush. Ndaj klientit duhet t’ia bësh punën para syve që të jetë i sigurtë”.

Baba i dy fëmijëve që kanë krijuar familjet e tyre, mjeshtri  është i lumtur që djali i tij, Berti, me familjen e të cilit jeton, ka trashëguar dhe çon përpara profesionin e tij.

Top Channel