U premtuan martesë vajzave rumune, por i shfrytëzuan si prostituta në Shqipëri, shkon në 3 numri i të arrestuarve

24/02/2021 12:01
Foto ilustruese

Një tjetër autor është arrestuar pas shfrytëzimit të vajzave rumune si prostituta në vendin tonë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.

26-vjeçari F. Xh. në bashkëpunim me shtetasit J. D. dhe T. M., të cilët janë arrestuar më parë, u kanë premtuar martesë dy vajzave nga vendet e huaja dhe për t’u larguar në vendet e BE-së dhe më pas i kanë sjellë në Shqipëri për t’i shfrytëzuar seksualisht.

Tiranë

Vijon operacioni “Premtimi”, shkon në 3 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga një tjetër shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Premtimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prostitucionit, finalizuar dy javë më parë nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 2 shtetas, ka vijuar puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Si rezultat është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim F. Xh., 26 vjeç. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit J. D. dhe T. M., (të arrestuar më parë në kuadër të këtij operacioni), me premtimin për martesë dhe për t’u larguar në vendet e BE-së, kanë sjellë në Shqipëri dy shtetase, të cilat dyshohet se i kanë shfrytëzuar seksualisht me persona të tjerë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel