“Bëhu gati se do të të vras!”/ Sulmi i shqiptarit ndaj ish të dashurës greke: Në fillim tentoi ta helmojë me shiringë, më pas e goditi me thikë në mes të rrugës

23/02/2021 18:00

Georgia Kaltsouni, një studente 21-vjeçare, me origjinë greke ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, pasi u godit me thikë nga ish i dashuri i saj shqiptar, 27-vjeçari, Jetmir Kurtsmajlaj.

Mediat e huaja raportojnë se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e të dielës që lamë pas në një shesh të Piemontes, në Itali.

Por e gjithë kjo histori nuk nis këtu! Shqiptari, 27-vjeçari Jetmir Kurtsmajlaj nuk mund të pranonte ndarjen nga 21 vjeçarja edhe pse lidhja mes tyre kishte zgjatur vetëm disa muaj.

I mbingarkuar nga zemërimi ai nisi me mesazhe kërcënuese ndaj saj nëpërmjet rrjeteve sociale, ku i shkruante: “Do të të vras”.

Vajza, tejet e frikësuar nuk e gjeti guximin ta denonconte dhe vendosi ta menaxhonte vetë të gjithë këtë situatë të krijuar, duke shpresuar që herët a vonë ai do të qetësohej dhe kërcënimet do të merrnin fund!

Në datën 16 shkurt ajo vendosi të takojë Jetmirin në një apartament në San Salavrio të Torinës. Jetmiri e zuri pritë duke e kapur nga pas dhe duke e kërcënuar me një shiringë të mbushur me helm. Georgia arriti t’i shpëtonte dhe të dilte nga shtëpia para se të ishte tepër vonë. Pas kësaj ngjarje të rëndë, vajza vendosi se do të raportonte djalin në polici, por edhe këtë herë nuk e gjeti guximin!

Jetmiri nuk e la me kaq! Një tjetër takim erdhi mes tyre, pasditen e të dielës në një shesh në Largo Marconi. Edhe pse i rrethuar nga kalimtarë të shumtë, Jetmiri e shtyu 21 vjeçaren e më pas nisi ta godasë me grushte, e në fund nxori një thikë nga pantallonat e tij dhe nisi ta godasë në bark. Ai u largua menjëherë nga vendngjarja duke e lënë 21-vjeçaren të shtrirë në tokë, të mbuluar nga gjaku.

Studentja u transportua menjëherë në spitalin Molinette dhe iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal që zgjati rreth 6 orë. Gjendja e saj shëndetësore është tepër e rëndë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërsa, shqiptari Jetmir Kurtsmajlaj u arrestua nga karabinierët vetëm pak minuta më pas dhe akuzohet për veprën penale “vrasje në tentativë”.

Motra e Georgias, një një deklaratë për “La Stampa” tha se ajo ishte në dijeni të takimit të tyre dhe kërcënimeve të Jetmirit. Ajo e cilëson Jetmirin si një person tepër të rrezikshëm dhe thotë se motra e saj ishte tepër e bindur për ta denoncuar atë në polici, por nuk arriti ta bëj dot kurrë!

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA