Vaksinimi i të moshuarve, Rama i përgjigjet kritikëve: Na thonë merrni doza nga Kina e Rusia, s’janë në tezga! Shihni çfarë bëhet nëpër botë

21/02/2021 11:06

Kryeministri Edi Rama ishte në stadiumin “Air Albania” për të parë nga afër procesin e vaksinimit të të moshuarve.

Në një dalje për mediat, iu përgjigj kritikave se të gjithë ata që po vaksinohen janë personalitet dhe persona të tjerë që kanë kontribuar dhe kanë arritur deri këtu.

Ndër të tjera, komentoi edhe për ata që sugjerojnë të merren doza nga Kina e Rusia duke thënë se nuk kanë dalë nëpër tezga.

“Këtu nuk bëhet fjalë për diskriminimin të askujt. Ndërkohë, po të shikoni personat që janë në sallë, janë të njohur dhe krejt të panjohur. Vijnë nga rruga e kontributeve dhe e jetës së tyre që janë në atë moshë. Kjo do të vazhdojë gjithë ditës për të gjithë.

Do të vazhdojmë për më të moshuarit dhe për këtë kategori me anë të dozave që kemi në dispozicion. me ato që kemi do të vaksinojmë të gjithë mjekët e infermierët dhe po punojmë çdo ditë e natë për të garantuar më shumë doza më shpejt. E shihni çfarë bëhet nëpër botë. Janë 140 shtete që nuk kanë marrë asnjë dozë, nga ana tjetër 70% e vaksinave të prodhuara janë vetëm për shtetet më të mëdha.

Ne kemi arsye për të qenë besimplotë për skenarin ambicioz për vaksinimin në 14 muaj. Është ambicie e madhe duke pasur parasysh që dozat nuk janë aty dhe dua t’ju them disave që na thonë merrni nga Kina e Rusia, nuk janë në tezga, nuk i kanë nxjerrë në tezga askund dhe o burra ti marrim.

E vërteta është që vaksina nuk ka dhe jemi besimplotë që do të kemi bazë më të gjerë dozash që të mos e ndërpresim për asnjë moment”, tha Rama.

Sa i përket atyre emrave të njohur që nuk janë vaksinuar ende, Rama u përgjigj:

“Me siguri ata dhe të tjerë do të vaksinohen së shpejti. Është çnjerëzore, e turpshme, e padenjë, ndotëse për atë imazh që ne shqiptarët kemi dashur t’i japim vetes që këtu të shpërthejë një konversion sikur njeriu të jetë ujk për njeriun. Nuk kemi bërë vlerësime dhe e keni parë që ata që vijnë të vaksinohen, vijnë persona me pikëpamje ndryshe politike. Mos bini pre e pseudo personaliteteve dhe aksesin publik që kanë sepse për fat të keq u jepet mundësia të flasin, ndërsa s’duhet të kenë akses se janë ndotës.”

Ndërsa për arritjen e deri tanishme, Rama tha: “Sigurisht që nëse më thoni a je i kënaqur për deri tani, normal që po. Nëse më thoni për sa është bërë deri tani, nuk jam se po të isha nuk do të vazhdoja luftën ditë natë e të mbaja në kurriz të gjitha llojet e sharjeve dhe akuzave dhe duke arritur deri në pikën që të mbroj se pse duhet vaksinuar Alfred Moisiu e Margarita Xhepa.”

Top Channel