Stuhi të mëdha dimërore, i ftohti ekstrem dhe ndërprerja e energjisë elektrike detyruan mbylljen e më shumë se 2 mijë qendrave të vaksinimit dhe vonuan shpërndarjen e 6 milionë dozave të vaksinës në 50 shtetet amerikane gjatë kësaj jave, tha këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Andy Slavitt gjatë një konference shtypi.

Një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara u përfshi nga moti ekstrem gjatë javës së fundit. Reshtje të mëdha dëbore dhe temperatura të ftohta si rallë më parë goditën Oklahomën dhe Arkansasin si dhe shkaktuan ndërprerje energjie në Teksas.

Stuhitë u bënë pengesë në përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për shpërndarjen e vaksinave. Në fillim të muajit, më shumë se 1.5 milion doza po shpërndaheshin mesatarisht në ditë.

Moti i ashpër bëri që Presidenti Biden të shtynte vizitën nga e enjtja në të premten në Kalamazu të shtetit Miçigan, për të parë nga afër fabrikën e kompanisë Pfizer që prodhon vaksinat kundër koronavirusit.

Moti po përmirësohet dhe po rifillon me ritmet e mëparshme dërgimi i vaksinave me 1.4 milionë doza vetëm të premten, tha zoti Slavitt.

Një vit pas shfaqjes së virusit në Perëndim

Dje u mbush një vit që kur Italia u bë vendi i parë jashtë konntinentit aziatik që konfirmonte një rast me koronavirus.

Më 20 shkurt 2020, mjekët në Itali diagnostikuan një 38 vjeçar nga Kodonjo me vurisin që sapo ishte identifikuar.

Disa orë më pas, një 77 vjeçar nga rajoni i Venetos vdiq duke u bërë viktima e parë e COVID-it në Perëndim dhe duke treguar se sëmundja kishte filluar të përhapej në komunitet.

Deri tani kjo sëmundje ka lënë mbi 2.4 milionë viktima në shkallë globale dhe ka infektuar mbi 111 milionë të tjerë.

Pasi mbarë bota u vu nën masa të papara izolimi për të futur nën kontroll përhapjen e virusit, shpresa kryesore ishte tek zhvillimi i vaksinave që u realizua në kohë rekord, më pak se një vit nga identifikimi i patogjenit.

Por në mbarë botën vendet po ndeshin vështirësi në vaksinimin e shpejtë të popullsisë, Probleme të ndryshme janë shfaqur në ciklet e prodhimit që kanë rezultuar në ritme më të ulëta imunizimesh se parashikimet.

Autoritetet në Nju Jork kanë njoftuar se kanë aktualisht më pak se 1000 doza vaksine në disponim.

“Vonesat në shpërndarje kanë pezulluar gjithë përpjekjet e vaksinimit,” tha përmes një postimi të shtunën në Twitter Avery Cohen, zëdhënëse për kryebashkiakun e Nju Jorkut, Bill De Blasio.

Problemet në linjat e prodhimit janë komplikuar edhe nga bllokimi i rrugëve dhe rëndimi i linjave të transportit nga stuhia e rëndë dimërore që ka prekur një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë ka prova në rritje se vaksinat janë të suksesshme për të luftuar pandeminë.

Sipas autoriteteve në Izrael, për ata që bënë të dyja dozat e vaksinës së Pfizer-BioNTech, rreziku për t’u sëmurur nga COVID-19 ra 98.5% ndërsa rreziku për simptoma të rënda që kërkojnë shtrim në spital ra 98.9%.

Ministria izraelite e Shëndetësisë përpiloi të dhëna të mbledhura më 13 shkurt nga 1.7 milionë izraelitë që ishin vaksinuar deri më datën 30 janar. Periudha dy javëshe që nga vaksinimi deri në mbledhjen e të dhënave i jep mundësi organizmit të krijojë antitrupat që luftojnë virusin.

Në Izrael janë vaksinuar deri tani afro gjysma e popullatës prej 9.3 milionë vetësh. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se brenda dy javëve të ardhshme do të jenë vaksinuar 95% e personave mbi 50 vjeç./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA