Rama flet për TCH nga spitali i Fierit: Gjithçka po shkon sahat! Po vjen fundi i “Tireve” në sistem

19/02/2021 12:29

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër punimet në spitalin rajonal të Fierit.

Ai foli për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu duke thënë se është e lumtur sepse gjithçka po shkon në rrugën e duhur. Rama theksoi se i gjithë ky proces do të sjellë fundin e “Tireve” duke sjellë një reformë në shëndetësi.

Edi Rama: I lumtur sepse gjithçka po shkon sahat. Ndërveprimi mes gjithë skuadrës së përkujdesjes nga ana e qeverisë dhe kompanisë është sahat dhe mbi të gjitha, ajo që është shumë e rëndësishme për mua dhe nuk duket është puna mes dy ministrive. Sot vjen grupi që ka shkuar atje për të sistemuar gjithë skemën si do funksionojë, do të kemi 50 personel që do të vijnë nga Turqia. Do të jetë qendër e transferimit të dijes, do të jetë dhe qendra e parë e aplikimit të autonomisë spitalore. Menaxheri, stafi drejtues, shefat e pavijoneve, mjekë të specializuar, kryeinfermierë do të jenë të gjithë personel turk dhe skuadra e menaxhimit do të bëjë përzgjedhjen e 320 bluzave të bardha shqiptare, të rinj të reja, mjek, infermierë.

Pas përzgjedhjes do të kenë dhe një grup kandidatësh të mundshëm për të marrë drejtimin nesër. Në momentin kur gjithçka do të shkojë sic duhet, do të kemi të parin spital që do të funksionojë nga pikëpamja e cilësisë, transparencës dhe funksionimit të plotë të autonomisë spitalore do ta shtrijmë në të gjitha spitalet e tjera. Kjo do të thotë fundi i Tireve në skutat e sistemit sepse atë po diskutonim kur Turqia filloi reformën e shëndetësisë e nisi si ne. Edhe ata e kishin praninë e Tireve lart e poshtë, ryshfetin e qytetarëve që ankoheshin dhe nuk denonconin. Pra krijuan bazën me të cilën krijuan sistemin.

Besoj që në 7 vjet e kusur kemi bërë për shëndetësinë më shumë se në dekada të tëra. Prania e këtyre qelizave kancerogjene të quajtura Tire në sistem, besoj se vjen momenti kur kemi instrumentat për ti eliminuar.

Sa i përket pjesëmarrjes së presidentit turk Erdogan në inaugurimin e spitalit rajonal të Fierit, Rama tha: “Nuk e di, por jemi në kontakt dhe ai e ndjek. Pavarësisht se ai e ndjek, mobilizimi nga Ministria e Shëndetësisë është fantastik.”

Top Channel