“Nevojitet që çështjet bilaterale të zgjidhen në format bilateral, ndërsa historia duhet t’u lihet historianëve. Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë pjesë e rëndësishme e çdo kornize, ndërsa nevojitet që të kthehet besimi i ndërsjellë dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore për gjeneratat e ardhshme”, porositi në Shkup eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, raportues në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas Anadolu Agency, eurodeputeti Kyuchyuk qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut në kuadër të së cilës u takua me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Pas takimit, Osmani dhe Kyuchyuk mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.
Kyuchyuk shprehu falënderime për ministrin Osmani, me të cilin tha se gjatë viteve të fundit ka pasur mundësi që të punojë në mënyrë shumë aktive. Në kontekst të projektrezolutës për Maqedoninë e Veriut, që gjatë muajit mars duhet të miratohet nga ana e Parlamentit Evropian, Kyuchyuk tha se roli i tij si raportues është objektiv dhe pasqyron pasqyrën reale për vendin, duke theksuar se Maqedonia ka angazhim të fuqishëm në reformat.
“Askush nuk ka interes nga pasqyra që nuk i përgjigjet të vërtetës. Nuk ka interes as BE-ja, as Maqedonia e Veriut, por nuk kanë interes as qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Gëzohem që dëgjoj se angazhimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut është shumë i lartë, pata mundësinë këtë ta dëgjoj edhe nga Osmani dhe nga përfaqësuesit e tjerë të koalicionit qeverisës. Çdoherë kam thënë se arritja e qëllimeve të mëdha si anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në BE, kërkon konsensus nacional dhe këtu kemi rol të gjithë”, theksoi Kyuchyuk dhe shtoi se edhe BE-ja dhe qytetarët kërkojnë më shumë nga politikanët, ndërsa këtu rol ka edhe opozita, e cila duhet të japë propozime adekuate që vendi të reformohet në rrugën drejt BE-së.
“Reformat do të vazhdojnë shumë intensivisht, të jenë pjesë e programit të Qeverisë dhe të jenë të thella, këtë e kërkon BE-ja, si dhe të mos ketë ngecje në rezultatin e reformave. Gëzohem se në çaste të vështira Republika e Maqedonisë së Veriut i jep dorën BE-së dhe anasjelltas, BE-ja i jep dorën Maqedonisë së Veriut. Interesi i madh i BE-së që të jetë lojtar politik global mund të realizohet vetëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kyuchyuk.
Duke u përqendruar në kontestin bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, eurodeputeti tha se në kontestet mes shteteve “humbasin të gjithë, ndërsa askush nuk fiton”.
“Puna jonë si politikanë nuk është të ndërtojmë mure, por t’i thyejmë, që të mund qytetarët edhe të Bullgarisë edhe të Maqedonisë së Veriut të jetojnë në një botë që është e lirë, në botën që ofron më shumë siguri dhe prosperitet. Nuk ka bisedë të lehtë për historinë, por bisedimet për historinë kërkojnë vështrim drejt të ardhmes. Interesi strategjik i Maqedonisë së Veriut është të jetë në BE. Interesi strategjik i Bullgarisë është që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së. Prandaj ka nevojë për bisedime, ka nevojë për ndershmëri në marrëdhëniet. Ka nevojë për kthim të Marrëveshjes (për miqësi dhe fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë) të vitit 2017, meqë dialogu u prish, ndërsa pa dialog dhe besim nuk ka rezultate të mëdha”, potencoi Kyuchyuk.
Ai informoi se gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do të ketë takime me kreun shtetëror dhe me liderët politikë, me ç’rast shprehu bindjen se do të konfirmohet mbështetja evropiane nga të gjitha forcat politike, përfshirë edhe opozitën.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se vizita e sotme është e rëndësishme për vendin duke marrë parasysh se do të ketë votim të projektrezolutës për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian, fillimisht më 4 mars në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërsa votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian parashihet për në fund të muajit mars.
“Nuk presim asgjë më shumë se ajo që është reale. Republika e Maqedonisë së Veriut ka dhënë rezultate në të gjitha fushat dhe meriton vlerësim të progresit të bërë. BE-ja duhet të operacionalizojë vendimin nga marsi i vitit të kaluar duke miratuar kornizën negociuese dhe duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Me të vërtetë mendoj se është e rëndësishme që eurodeputetët të vlerësojnë progresin tonë dhe kjo rezolutë, megjithëse nuk është një dokument detyrues, është një shprehje e qartë e frymës politike evropiane, një gjykim objektiv i vlerave evropiane si mbrojtësi më i madh i kredibilitetit evropian, e që është e rëndësishme për të gjithë, veçanërisht për ne, vendet e rajonit, sepse ideja evropiane është ajo që na bashkon rreth vlerave bashkëkohore“, tha Osmani.
Osmani tha se e kanë të qartë se nevojitet edhe shumë të punojnë në shumë sfera, me qëllim që t’i shmangin të gjitha pengesat deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE.
Ai tha se në këtë drejtim e hapën edhe çështjen për marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Krahas zhgënjimeve në vend, me një ritëm të pazvogëluar zhvillohet dialogu politik me qëllim që të mos lejojmë ngecje më të gjerë ne marrëdhëniet e ndërsjella. Jemi para përfundimit të finalizimit të planit aksional që do të paraqesë një dokument të rëndësishëm që do ta ndjekë bashkëpunimin në të gjitha sferat dhe pres që përmes punës me përkushtim dhe durim ta kthejmë besimin edhe në dialogun politik”, shtoi Osmani.
Në kuadër të vizitës, krahas me ministrin e Punëve të Jashtme, Kyuchyuk do të realizojë takime edhe me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, kryeministrin Zoran Zaev, përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë politikë.
Top Channel