Skandali i korrupsionit në Gjykatën e Krujës/ “Bëre gjë për atë mikun?”, zbardhen përgjimet e avokatit Aldo Tabaku

12/02/2021 13:50
Avokati Aldo Tabaku dhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha

Një skemë e mirëfilltë kriminale është krijuar në Gjykatën e Krujës për të liruar të burgosurit kundrejt miliona eurove.

Përgjimet e avokatit Aldo Tabaku të arrestuar ditën e djeshme pas përgjimeve nga SPAK, janë zbardhur.

Siç raportoi gazetarja Anila Hoxha mbrëmjen e djeshme në “Open” diskutimet e para nisin për të liruar të burgosurin Gentjan Nezaj për të cilin gjyqtarja e rrëzoi kërkesën në tetor.

Duke u nisur nga zhvillimet është autorizuar kryerja e përgjimeve në vende publike dhe për këtë fakt forcat operacionale janë dërguar me shërbim në Gjykatën e Krujës.

Çështja e Nezajt po përgjohej dhe në 7 shtator të vitit 2020 nga ky hetim veçohet dosja për bisedën e trafikut të drogës.

Për korrupsion në përgjime vërehet se R.H. bisedon me një person me emrin Gazi, i cili më pas është identifikuar si Gazmir Nezaj. Ai interesohej për të liruar vëllanë e tij.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha

Në datën 19.06.2020 në Gjykatën e Krujës është zhvilluar një seancë gjyqësore lidhur me kërkesën e bërë nga Gazmir Nezaj për lirimin para kohe me kusht të vëllait të tij, Gentjan Nezaj.

Në datë 5 qershor 2020 Gentjan Nezaj kërkon aplikim të dënimit alternativ dhe gjyqtare rezulton në short Enkelejda Hoxha, pjesë e skemës së lirimit të të burgosurve kundrejt miliona eurove.

Për lirimin e Gentjanit është diskutuar shuma prej 15 mijë eurove. Por kërkesa është rrëzuar për Gazmir Nezajn dhe nuk u aprovua  lirimi i tij. I vëllai i të burgosurit nuk i siguroi dot 15 mijë euro dhe kështu nuk u dha vendim në favor të tij.

Përgjimet ku është i përfshirë Aldo Tabaku:

Isuf Tabuzi: O Aldo si të kam mor?

Aldo Tabaku: Hiç mirë

Tabuzi: Ca bëhet andej bëre gjë për atë mikun?

 Tabaku: Tashti fillon gjyqi pa merak.

Tabuzi : Kur i fillon Aldo?

Tabaku: Javën tjetër.

Gazmir Nezaj flet në telefon me një shtetas që i thotë: Nesër do takoj sekretaren t’i jap kafen.

Por personi R.H. i thotë: Nuk është mirë t’ia japim direkt.

Gazmir Nezaj: Do ia jap asaj se më ka mbaruar edhe 2 tre punë të tjera, pastaj njëlloj janë ato bashkë.

Ndërkohë një përgjim tjetër zbulohet:

Në bisedë konfirmohet se : “ Do të bëhet gjyqi, po do të shtyhet se nuk pranoj ajo gjoja.. Gjyqi edhe të hënën dhe një herë, po prapë e merr kjo, po o them që …a je ka më kupton”.

Pra del qartë se sipas Gazit gjyqi iu shty pasi nuk pranoi Enkelejda Hoxha duke pasur parasysh gjyqtaren.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha

Pjesë nga përgjimi më datë 19/06.2020:

Shtetasi R.H (Romi) komunikon me Gazmir Nezaj:

R.H.: Hë ca u bë ca u tha?

Gazi: Hic mo, ata, se ai… së vëllai im është gomar shoku, për kështu budaliqesh, ca kishte, ai kishte fol për aty, do të kryej punë unë me këtë dhe do të kryej punë me atë, eee ke pararsyshë, edhe i tha ai ta shtyjmë gjyqin dhe duhet me ndrru krejt katin duhet me ik prej aty tha se …ju ka në shpinë SHIKU.

R: C’thua more.

Gazi: Po shoku.

R.H.: Po fëmijë është ky që bën nga ato muhabet?

Gazi: Q** Nënën. Sdi ca me thënë. Edhe ne ka rrim aty në këmbë një grue me maskë u afrua me telefon po ky avokati biri i k** aty jashta ddhe i tha pse je ka filmon?  jo tha ajo kam hallet e mija, edhe ju vu ky nga mbrapa në këmbë duke e ndjek nga po shkon edhe nga gjykata iku me makinë në Krujë edhe iku poshtë edhe e shtymë gjyqin.

R.H.: Tani çfarë do bëhet?

Gazi: Do të bëhet gjyqi, po do të shtyhet se nuk pranoj ajo gjoja u bë gjyqi edhe të hënën edhe një herë po prapë e merr kjo. Po po them që… a je ka më kupton të hënën tjetër edhe u kry kjo punë këto budalliqe.

R: Q** nënën.

Gazi: Gjithçka u bë …me rregulla ai fliste budalliqe kot i bën mullar kot pa dit gje, ca bone ti?

Gjatë përgjimeve, avokati Aldo Tabaku ka konstatuar një pjesëtar të grupit të vëzhgimit dhe ka dyshuar se po përgjohet. Në këto zhvillime seanca është shtyrë.

E kthyer në simbolin e gjyqtarëve që hapin dyert e burgut për të dënuarit e përjetshëm,  Enkelejda Hoxha ra në rrjetat e SPAK së bashku me nëntë persona të tjerë që në bashkëpunim me njëri-tjetrin po tentonin të hapnin dyert e qelive për një tjetër të dënuar në Fushë Krujë.

Gjyqtarja , eksperti mjeko ligjo, avokati , kryesekretarja e gjykatës dhe familjarët e të dënuarit Saimir Petani, u bënë bashkë me qëllimin për t’i zbutur atij dënimin. Duke shfrytëzuar afrimitetin me Enkelejda Hoxhën , avokati Aldo Tabaku sipas përgjimeve të SPAK se ka ndikuar tek gjyqtarja Hoxha e cila nën këtë influence  i zbriti të dënuarit 6 muaj burgim, për shumën e 6 mijë eurove.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët  ka bërë kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masat e sigurimit arrest në burg për:

Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;

Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.

Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;

Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;

Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyëqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera nga SPAK për arrestimin e 10 personave të cilët akuzohen se me skema korruptive ulnin vitet dhe lironin të dënuarit, është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e Sigurisë ndaj shtetasve:

Edvin Prifti me detyrë mjek kardiokirgurn në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ndaj tij është vendosur mesa “pezullim nga detyra” për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Trëndafile Frangu, infermiere në QSUT, është pezulluar nga detyra për veprën penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarit publik.

Migena Skënderi, është lënë me masën detyrim paraqitje në polici për shkak se akuzohet për veprën penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publik.

Top Channel