Kolegu i tij u kap me 250 mijë Euro dhe 16 milionë lekë cash, Kalo: Korrupsioni i ngjyrosur blu, rozë e mavi, por çuditërisht nuk zbulohet

12/02/2021 10:41

Mjeku i njohur Tritan Kalo ka reaguar me ironi pas pezullimit nga detyra të kolegut të tij, Edvin Priftit, të cilit ju gjet shuma marramendëse parash në shtëpi dhe zyrë.

Ai thotë se ky korrupsion është produkt i këtij sistemi të ngritur në Shqipëri, për vite e vite me radhe. Kalo nuk ka nguruar që të thumbojë edhe politikanët.

“Korrupsioni është gangrena e këtij palo sistemit tonë demon-kratik, që ne u rrekëm të ngremë në 30 vite. I shtrirë kudo i ngjyrosur në blu, rozë apo mavi. Ai shihet mjaft qartazi në vilat luksoze, por çuditërisht nuk zbulohet”, shkruan Kalo.

Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut të arrestuar ditën e djeshme, Edvin Priftit me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u gjetën në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë.

Ndaj tij është vendosur masa “Pezullim nga detyra” për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Mësohet se mjeku është kapur në përgjimet e SPAK teksa bisedonte me Manuela Mallakuçi, për një operacion të një familjari të kësaj të fundit.

Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej sot nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti.

Top Channel