21 vite pas luftës e pa veten në fotografinë e KFOR-it, Shabani kujton me emocion momentin

02/02/2021 15:43

Një foto e bërë 21 vite më parë, kur Kosova ishte në luftë është postuar së fundmi nga KFOR.

Për Shaban Xanin janë ende të freskëta momentet e vështira të luftës. Ai ka qenë vetëm gjashtë vjeç por mban mend kur iu dogj shtëpia dhe humbën çdo gjë, në komunën Skënderaj, afër Prekazit.

Kjo foto është shkrepur në vendin e quajtur ‘Lisat e Xanit’. Nuk kishim shtëpi, as veshje sepse ishte shkatërruar çdo gjë, unë po ecja me gjyshin.

Ajo në foto është një predhë, e hedhur nga tanket ushtarake. U afrua një ushtar i KFOR-it dhe më bëri foton. Isha i entuziazmuar kur shihja atë mjet të madh ishte afër meje. Predha më dukej si një lodër. Ne kishim qejf të kishim lodrat tona, por nuk kishim”.

Ai tregon se ka qenë muaji gusht i vitit 1999. I përlotur, Shabani kujton se në vend të lodrave kishin predhat. “Ato predha i kemi përdorur si porta futbolli”, tregon ai.

Shabani thotë se është e rëndë të kujtohet lufta. “Populli ynë ka parë para syve krime që nuk duhen harruar kurrë”, apelon ai.

Top Channel