Jeta e çobanit nuk është aspak e lehtë.

Dritan Bardhi, ka mbi 30 vjet që merret me blegtori. Në stallën e tij numërohen afërsisht 250 kokë dhi dhe keca.  Punët në këtë fermë nisin që në 6 të mëngjesit.  Me orë të tëra ai ecën në këmbë për të gjetur kullotën më të mirë për dhitë e tij. E kur drita bie, ai kthehet përsëri në stan, kësaj herë duhet të kujdeset për kecat.

Çfarë të ardhurash siguron nga blegtoria?

Bardhi: Të ardhurat?! Ndonjë fitim i madh nuk është, por mirë le të themi. Shes qumështin, po shumë lirë 500 lekë të vjetra litri vijnë ma marrin baxhot.

Po për kecat e ke siguruar tregun?

Bardhi: Kecat i shes tek kasapi në Pezë, i kam të kontrolluar dhitë dhe kecat kurrë nuk i shes pa numër matrikulli.

Ia vlen të merresh me blegtori?

Bardhi: Ia vlen, edhe pse ka shumë lodhje. Vij në mëngjes dhe i kontrolloj nëse kanë pirë mirë kecat, pastaj i çoj në kullotë siç e patë ju. Ndërsa në darkë i hedh jonxhën.

Sa shpenzime  ka një stallë?

Bardhi: Ka shumë shpenzime duhet të blej hime, misër. Misri është 30 mijë lek një kuintal, unë harxhoj 6 ton misër, plus edhe jonxha është e shtrenjtë. Unë mora 150 topa jonxha me 5 mijë lek të vjetra topin.

E ke menduar ndonjëherë që në këtë fermë të prodhosh djathin e dhisë pasi në treg është shumë i shtrenjtë?

Bardhi: E kam bërë para 4 vjetësh, ka shumë punë më beso, do baxho.

Dritani dhe Fatmira kane tre fëmijë. Të ardhurat e familjes ata i sigurojnë vetëm nga gjëja e gjallë. Dëshira e Fatmirës është që ta zgjerojnë kopenë e dhive, por mungesa e fuqisë punëtore I detyron ata të kenë vetëm këtë stan. Të rinjtë kanë ikur në emigrim. Sot në fshatin Mënik të Tiranës ka vetëm 2 stanë, ndërsa në fshatrat përreth asnjë.

Përse nuk e keni zgjeruar fermën?

Bardhi: Nuk  e zgjerojmë dot sepse nuk ka fuqi punëtore.

Përse nuk ka djem dhe burra fshati që duan ta bëjnë këtë punë?

Bardhi: Jo, nuk ka. Ata preferojnë emigrimin, dhe unë i paguaj aq fuqi sa kam. Kur të kem fuqi punëtore do ta zgjeroj stanin.

Edhe pse konsumatori është në kërkim të prodhimeve cilësore vendase, në vendin tonë toka po punohet më pak, ndërsa stanet janë të drejt zhdukjes. Djemtë dhe vajzat e reja janë në kërkim të jetës së qytetit.

Top Channel