Rama: Fermerë të suksesshëm, falë punës dhe mbështetjes së qeverisë

29/01/2021 15:49

Fermerë të suksesshëm, falë punës së tyre të palodhur dhe mbështetjes së qeverisë, kështu thotë kryeministri Rama. I tillë është Ylvi Bylykbashi, në fshatin Shamoll të Korçës, ferma e të cilit është model i garantuar suksesi, jo vetëm për zonën, por kudo ku ka prodhues mollësh në vend dhe më gjerë.

“Në këtë fermë mbillen mollë, qershi dhe dardha, por kryesisht mbillen mollë, ndërkohë ka përfituar një skemë nga skemat mbështetëse kombëtare për rrjetën antibreshër që të mbrojë kulturat. Përveç kësaj ka një eksperiencë 20 vjeçare në fushën e bujqësisë dhe ka punuar edhe me projektet e Crossborder-it. Është aktiv dhe në këtë gjë, ka aplikuar prapë tek IPARD, kësaj radhe sepse kërkon ta mbrojë produktin e vet”, – thotë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri në fermë.

Drejtuesi i fermës, i cili është njëkohësisht edhe Drejtues i Unionit të Prodhuesve të Mollës së Rajonit thotë se mbështetja që ai ka marrë vitet e fundit përmes skemave të ndihmës, ishte shumë e rëndësishme për të ruajtur prodhimin nga ndryshimet e motit. “Është ferma më e madhe në Shqipëri, ka 20 hektarë. Është mbjellë këto 4 vjet, çdo vit, me forcat tona, por edhe me ndihmën e shtetit, – shprehet Bylykbashi. – Ne kemi përfituar nga skemat kombëtare 5 hektarë për mbjellje të reja, kemi përfituar për ujitjen me pika, kemi përfituar dhe 4 hektarë për mbulim me rrjeta antibreshër. Ngrohja globale e ka bërë motin të paparashikueshëm dhe fermerët korçarë, meqë unë jam edhe drejtues i Unionit të Prodhuesve të Mollës të Rajonit, njëkohësisht edhe pronar i këtij kompleksi, vuajnë shumë nga dëmtimet e breshrit dhe ne aplikuam me skemat kombëtare për mbulimin e saj.”

Duke u nisur nga eksperienca e gjatë në bujqësi dhe si prodhues i kërkuar në treg, Bylykbashi pohon se çelësi i suksesit për fermerët në tërësi është bashkimi i tyre. “Ne duhet të prodhojmë me cilësi, me standard dhe duhet të mbjellim atë kultivar që e kërkon tregu. Kërkoj me të madhe që të punohet në drejtim të bashkimit të fermerëve”, – shprehet ai.

Ndërsa e cilësoi spektakolare fermën për nga mënyra e administrimit të saj, Kryeministri thekson se qeveria do të jetë përherë mbështetëse e shembujve të tillë të suksesit që shërbejnë si modele edhe për të tjerë. “Ne si qeveri e kemi bërë shumë të qartë që në fillim që do të mbështesim fuqimisht të gjithë ata që janë lokomotiva të këtij sektori dhe tërheqin shumë vagonë prapa, duke krijuar shembuj dhe duke e bërë të qartë për të gjithë që po u bashkove dhe ti nuk do të bashkosh pronën si në kohë të komunizmit, por do të bashkosh mendjen dhe do të biesh dakord për çfarë do të mbjellim, si do ta kultivojmë dhe në fund fare do ta shesim bashkë, sepse kemi masë më të madhe dhe duke qenë e tillë ke një fuqi negociuese më të madhe”, – thekson Kryeministri, ndërsa e konsideron “një spektakël” investimin e Ylbiut, jo vetëm përsa i përket prodhimit, por nga fakti i administrimit.

Top Channel