Tiranë/ Drejtoi makinën në gjendje të dehur dhe u përpoq të korruptonte policin, arrestohet 35-vjeçari

28/01/2021 12:32

Një 35-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme pasi gjatë kontrollit u kap u vërtetua se drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë i ofroi lekë punonjësit të policisë.

Sipas policisë shtetasi me iniciale R.P i ofroi policit 5000 lekë, pasi punonjësi vertetoi se ai po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Rrugorët e kryeqytetit, në funksion të kontrolleve policore parandaluese, ditën e djeshme, kanë konstatuar dhe verifikuar se shtetasi me iniciale R. P., 35 vjeç, po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, në masën 0.44 mg/l.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore, ky shtetas i ka ofruar agjentit verifikues një kartëmonedhë me prerje 5000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Në këto kushte drejtuesi i automjetit është arrestuar në flagrancë për veprën penale  “Korrupsioni aktiv ndaj personave që kryejnë funksione publike”.

Gjithashtu, përgjatë 48 orëve të fundit, në funksion të kontrolleve parandaluese, janë arrestuar edhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, 3 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Top Channel