Qeveria ndryshon buxhetin, debate për aktin normativ për bonusin ndaj pensionistëve

28/01/2021 15:23

Parlamenti ka miratuar mes debatesh aktin e katërt normativ për buxhetin e vitit 2020, një draft ku u bënë rialokimet e fondesh duke mundësuar bonusin e pensionistëve, më shumë para për shëndetësinë e vazhdimin e investimeve infrastrukturore.

Për përfaqësuesit e qeverisë, ky akt normativ ka adresuar të gjithë problematikat duke mos cënuar stabilitetin ekonomik të vendit.

“Tërmeti dhe pandemia është togfjalëshi i vitit të kaluar por kemi rindërtimin dhe rimëkëmbjen kemi togfjalëshin e vitit që sapo nisëm dhe të viteve në vazhdim. Reagimi i qeverisë shqiptare mund të karakterizohet në tre tipare: shpejtësi, efektivitet dhe vizion. Kemi realizuar rialokimet e nevojshme për të mundësuar atë që është efektiviteti në zërat e buxhetit e shtetit. Një vit i vështirë por ia dolëm të ruajmë stabilitetin ekonomik dhe parametrat fiskal pavarësisht zgjerimit të borxhit”, tha Anila Denaj, ministre e Financave.

“Duke analizuar situatën financiare të shtetit u bë e mundur që një pjesë e fondeve për periudhën që mbetej nuk përdoreshin dot, mund të përdoreshin qe t’i shërbenin një qëllimi tjetër për paketat që u dha për shpërblimin e pensionistëve. Disa rialokime për të mbështetur shëndetësinë duke vënë sa më shumë fond dhe për të rialokuar disa fondeve në fondin e investimeve për realizmin e tyre. Ky akt bëri që viti të mbyllej me dëmin sa më të vogël”, tha Anastas Angjeli, deputet PS.

Por, deputeti Artur Roshi është shprehur skeptik mbi menaxhimin e emergjencës nga qeveria, teksa shton se ndërhyrjet e herëpashershme në buxhet nuk i kanë dhënë zgjidhje situatës.

“Ky akt normativ është një nga hallkat e akteve normative maratonë të qeverisë që tregon se qeveria po qeveris në gjendje emergjence. Ndryshimet me disa herë të buxhetit 2020 tregon se qeveria nuk i menaxhon dot problemet që kanë shqiptarët, por janë problemet që menaxhojnë qeverinë duke e tërhequr atë zvarrë”, tha Artur Roshi, deputet PD.

Krahas aktit normative të buxhetit 2020, deputetët kanë miratuar edhe disa drafte të tjera që parashikojnë shtyrjen pa afat të bonusit të qirasë për familjet e prekura nga tërmeti deri në sistemimin e tyre si dhe zgjatjen me 3 muaj të afatit të kolaudimit të automjeteve.

Top Channel