Top Talk: Astrit Patozi tregon kush e “helmon” politikën shqiptare dhe tregon antidotin e këtij helmi

26/01/2021 16:55

Kryetari i partisë Bindja Demokratike akuzon drejtuesit e partive kryesore në vend se janë të helmuar dhe nuk i duhet më shoqërisë.

Patozi i konsideron “gjellë e prishur”, të gjithë politikanët që kanë drejtuar vendin këto 30 vite. “E helmuar është qeveria e Ramës që sot ka e vetme timonin, por edhe dy partitë e lodhura në opozitë, edhe PD edhe LSI. Të treja i kanë provuar llojet e aleancave me njëra-tjetrën.Çfarë mund të presin më shqiptarët prej tyre”.

Sipas tij, antidoti për këto parti që helmojnë shoqërinë janë partitë e reja, me një strukturë, ku drejtuesi është i barabartë me të gjithë kandidatët brenda partisë. “Ne jemi e vetmja shpresë që Shqipëria mund të ndryshojë. Ne i drejtohemi kryesisht pjesës së paangazhuar të shoqërisë, e cila është e papërfaqësuar. Edhe dyshimet që mund të kenë ndaj nesh janë të mirëkuptuara. Ne jemi më afër tyre. Ata e kanë më të lehtë për të zgjedhur njërin prej nesh apo të gjithë ne nëse do të jemi në një koalicion, në mënyrë që t’i japim një goditje këtyre kryetarëve”.

Megjithatë, sqaron se problemi qëndron te kryetarët e partive kryesore, jo te të gjithë anëtarët, pasi sipas tij partitë kryesore janë si ndërmarrje politike.

Partitë janë si ndërmarrje private me një kryetar të vetëm, dhe unë po flas për pronarët  e tyre, jo për mbështetësit dhe anëtarët e tjerë.

Flas për personazhe që kanë dhënën prova që janë kthim mbrapsht. Nuk besoj se ka më nevojë për të kuptuar që gjatë gjithë kohës që Rama ka qenë në pushtet ka dhënë prova se Shqipëria po bën hapa prapa.  Edhe kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha nuk ka qenë më parë në postin e kryeministrit, Patozi thotë se nuk është e nevojshme për të kuptuar politikat e tij.

Janë 3-4 persona që kanë dhënë provë të madhe që Shqipërinë e duan si është. Ne i kemi përcaktuar si e keqja dhe e shkuara e politikës shqiptare”.

Patozi tregon se qëllimi bazik i partisë së tij është që të kufizojnë pushtetin e partisë kryesore që mund të drejtojë 4 vitet e ardhshme. “Ne duam që askujt prej tyre mos t’ia lëmë timonin vetëm, jemi edhe ne në garë. Të ulim fuqinë e pushtetit, nëse e bëjmë kemi arritur një gjë të madhe dhe ky është synimi jonë minimalist”.

Top Channel