Që prej 11 janarit, mësuesit nuk shkojnë në shkollë. Pamjet e frikshme të urës së rrezikshme ku kalojnë nxënësit çdo ditë

25/01/2021 21:53

Nxënësit e një shkolle në Dukagjin të Shkodrës janë lënë në mes të katër rrugëve pasi asnjë mësues nuk është paraqitur për të zhvilluar mësim që prej datës 11 janar.

Vështirësitë për të kaluar rrugën mund të jenë shkaku përse mësuesit nuk kanë shkuar në shkollë për të vijuar procesin normal të mësimdhënies. Në videon që ka siguruar Top Channel, duket rreziku me të cilën përballen prindërit dhe nxënësit çdo ditë.

Për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, fëmijët qëndrojnë në radhë dhe mbahen në krahë nga një person, i cili kalon urën prej druri që rrezikon të shembet nga momenti në moment. Një prej prindërve ka shprehur shqetësimin duke thënë:

“Kjo është shkolla “Mehmed Shpendi” në Dukagjin. Që prej datës 11 Janar, nuk ka ardhur asnjë mësues. Sot ka ardhur mësuese Maria, e falenderojmë shumë, por nuk i përfaqëson këta, është për fëmijët me aftësi të kufizuara. Këtu nuk kemi me aftësi të kufizuara, i kemi shëndoshë faleminderit Zotit. Askush nuk ka kush i bën mësim, vetëm kjo mësuese ka arritur të vijë sot, por prapë nuk i përgjigjet këtyre. Ka qenë, por ka ikur drejtori. Sot na duhet të shkojmë me fëmijët tek shkolla, shikoji prindërit. Që me datën 11, nuk është hapur shkolla.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA