Atentat për pazare droge/ Durrës, 38-vjeçari me dy emra u qëllua me kallashnikov

25/01/2021 15:28

Edmir Begu, 38 vjeç, mbeti viktimë e një atentati pasditen e së dielës rreth orë 17:20 minuta.

Ai ishte duke parkuar makinën pikërisht në këtë vend në lagjen numër 16 në Durrës. Pasi del nga automjeti, pak metra më tutje, përpara kësaj ndërtese, qëllohet me breshëri kallashnikovi. Ishte një pasdite me shi dhe errësirë, kur Begu, u qëllua. Ai mori goditje në kokë dhe gjoks. U dërgua në spital, por ndërroi jetë disa momente më pas për shkak të plagëve të marra.

Familjarët e viktimës, këtë të hënë erdhën pranë vendit të ngjarjes ku vendosën edhe njoftimin për vdekjen e Edmir Begut, por refuzuan që të shpreheshin në kamera dhe jashtë saj, për ngjarjen e rëndë.

Edmir Begu, njihej ndryshe me emrin Jetmir Begu. Ai po ashtu ka mbajtur edhe emrin Ilir Kuçi.

38- vjeçari Begu, sipas informacioneve që Top Channel ka siguruar, dyshohet se është ekzekutuar për prishje të pazareve të drogës.

Ai kishte pasur disa lëvizje drejt shtetit fqinj, Italisë, për të cilën prokuroria pritet të nis hetimet. Pista kryesore është që Jetmir apo Edmir Begu, është vrarë për çështje droge në vendin tonë, por hetimet, pritet të hedhin më shumë dritë.  Banorë të lagjës 16 në Durrës, tregojnë për të shtënat me breshëri që dëgjuan.

Fillimisht policia e Durrësit raportoi se viktima ishte plagosur në këmbë pas një konflikti të çastit, por më pas u mësua se ishte një atentat i mirëfilltë për të vrarë Begun. Grupi hetimor ka marrë në pyetje disa persona të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

 

Top Channel