Personat me aftësi ndryshe në Shqipëri hasin vështirësi të mëdha për t’ja dalë e për t’u shkolluar. Edhe pasi kjo ndodh, hasin vështirësi të mëdha për t’u punësuar, edhe pse ekziston një ligj që detyron institucionet publike e private t’i punësojnë.

Elida Çela është e verbër ndërsa ëndrra e saj më e madhe për t’u punësuar tashmë u realizua. Por duket se vështirësitë nuk do të kenë të sosur. Elida është punësuar si punonjëse sociale në një fshat të largët të Elbasanit .

Kam shtatë vite që bëj përpjekje të vazhdueshme, në institucione private, shtetërore dhe më në fund jam punësuar”, tregon Elida.

Teksa qindra të rinj refuzojnë vendet e punës në fshat, Elida nuk dorëzohet. Edhe pse do t’i duhet të udhëtojë 20 km dhe në 3 shkolla vartëse, ajo thotë se puna është gjithçka.

“Jam në Funarë që është 45 minuta larg Elbasanit. Kam edhe një shkollë në Mollagjesh që është 1 orë larg Elbasanit. Është e vështirë, më shoqëron mamaja për momentin”.

Pavarësisht kësaj, ajo nuk e refuzoi vendin e punës: “Dikush duhet ta bëjë atë punë pavarësisht se për mua është e vështirë”.

Vendosmëria dhe forca e vajzës nga Elbasani është për t’u admiruar, ndërsa kontributi i saj në shoqëri i jashtëzakonshëm, si punonjëse sociale, por mbi të gjitha si model kurajoje.

Top Channel