Bllokimi i rrugës Milot-Rubik/ Banorët e fshatrave duhet të dalin në Rrugën e Kombit për të shkuar në Tiranë

22/01/2021 12:07

Rënia masive shkëmbore nga mali, prej më shumë se 15 ditësh ka bllokuar aksin e vjetër rrugor Milot-Rubik.

Po ashtu, një problematikë tepër e madhe është edhe gërryerja nga lumi mat në disa pjesë të kësaj rruge.

Rruga është kthyer në një rrezik serioz për lëvizjen e automjeteve. Kjo situatë e krijuar ka ardhur nga gërryerja e lumit Mat, duke bërë këtë rrugë në disa vende një kalimshe.

Të vetmit sinjalizues që të tregojnë që ka shembje janë disa gurë të vendosur nga vetë banorët e zonës.

Rreziku për të përfunduar në lumë është i madh, kryesisht për drejtuesit e mjeteve të cilët nuk e njohin problematikën e kësaj rruge.

Në hyrje të këtij segmenti rrugor, pranë Urës me harqe, është vendosur një tabelë që tregon se kanë nisur punimet për stabilizimin e rrëshqitjeve, por në rrugë nuk shihet asnjë makineri apo punonjës.

Bllokimi i rrugës ka krijuar vështirësi në lëvizje për banorët e fshatrave përreth Rubikut të cilët duhet të qarkullojnë nga rruga e kombit për të lëvizur drejt Rrëshenit, Lezhës e Tiranës një distancë mjaft e largët.

Top Channel