Zhdukja e biznesmenit italian/ Lala: Prishët vendngjarjen! Drejtori i Policisë Kriminale: Automjetin e gjetëm në komisariat

19/01/2021 22:04

Drejtori  i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj në një lidhje telefonike në emisionin “Open” ka mohuar mungesën e transparencës nga ana e policisë në lidhje me zhdukjen e italianit Davide Pecorellit dhe dyshimeve se u dogj në një makinë në qytetin e Pukës.

Pas akuzave të gazetarëve se në njoftimin e policisë nuk është sqaruar se në makinën e djegur ka pasur mbetje kockore, Vocaj tha se ato janë konstatuar pas heqjes së makinës nga vendi i ngjarjes, pra të nesërmen dhe se njoftimi për median ishte paraprak.

“Pikë së pari dua të sqaroj që kjo ngjarje ka marrë vëmendjen e duhur, për hetimin e kësaj çështje janë angazhuar ekspertët më të mirë, mjekësisë ligjore, kriminalistikës, unë bashkë me një grup kemi qenë në Pukë dhe janë përcaktuar të gjitha pistat hetimore. Mund të ketë aludime për mungesë transparence por policia e ka dhënë informacionin, është e vërtetë që nuk është pasuar nga një tjetër por policia ka kufizime, ato janë eshtra dhe i përkasin personit , nuk kemi mbajtur asgjë të fshehtë, kemi referuar çështjen në prokurori. Policia nuk e  ka prishur vendin e ngjarjes, por e ka këqyrur, është fakt dhe ka ndërhyrë edhe zjarrfikësi  si në rastet e ngjashme kur kemi të bëjmë me djegie. Nuk janë konstatuar gjurmë kockore në fillim, automjeti është marrë me karrotrec, në këqyrjen e nesërme janë parë prezent këto mbetje”, tha Vocaj.

Ndërsa gazetarja Klodiana Lala kundërshtoi duke thënë se si ka mundësi që ekspertët më të mirë të Tiranës nuk kanë mundur të pikasin mbetjet humane në automjetin e djegur.

Ai gjithashtu tha se nuk është prishur vendi i ngjarjes, por automjeti është gjetur në komisariat kur kanë shkuar ekspertët nga kryeqyteti.

Lala: Ju thoni që policia ka bërë të gjitha këqyrjet dhe zbatimit të protokolleve, si shpjegohet që në njoftim mungon elementi i gjetjes së eshtrave të një personi?

Vocaj: Sepse njoftimi është bërë përpara se të konstatohen mbetjet, janë konstatuar të nesërmen, në moment që janë konstatuar këto mbetje,  kjo kërkon kohën e nevojshme.

Lala: Si është e mundur që një grup ekspertësh nuk ka konstatuar kockat? E prishët vendngjarjen.

Vocaj: Nuk e kemi prishur vendngjarjen.

Lala: Por si ka mundësi që janë gjetur eshtrat një ditë më vonë.

Vocaj: Është këqyrur automjeti dhe vendngjarja, të gjitha janë në dosjen hetimore. Automjetet këqyren në vende të posaçme.

Top Channel