Fiks Fare/ Rishfaqen bandat në Shkodër, gjobvënie tregtarëve të tregut ‘Rus’

18/01/2021 20:35

Rikthehen bandat që kërcënojnë tregtarët e Shkodrës me gjobëvënie. Kësaj radhe ata që duhet të pagujnë haraçin e përmuajshëm janë tregtarët e tregut ‘Rus’ siç njihet në Shkodër.

Pikërisht këta tregtarë ankohen në Fiks Fare se persona që nuk përfaqësojnë asnjë institucion shtetëror apo privat, detyrojnë tregtarët shkodranë t’ju paguajnë atyre shuma të ndryshme parash me preteksin e mbrojtjes së dyqanit. Këto shuma variojnë nga 20-30 deri në 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Nëse tregtarët nuk paguajnë, dyqani i tyre shkatërrohet apo digjet.

Për këtë problem bashkëpunetorët e emisionit Fiks Fare shkojnë takojnë tregtarët në Shkodër. Gjatë bashkëbisedimit ata tregojnë se janë të detyruar të paguajnë çdo fillim muaji shuma të ndryshme parash 30 apo 40 mijë lekë. Të frikësuar ata nuk thonë emrat e personave të cilët vendosin këto gjoba kundrejt tyre, por tregojnë se kur një nga tregtarët nuk pranoi t’ju bindej për të kryer pagesën dyqani i tij u shkatërrua. Tregtarët e tregut ” Rus” në Shkodër edhe pse kanë denoncuar këtë rast, deri tani nuk është marrë asnjë lloj mase . Gjobëvënia kundrejt tyre nga persona që nuk dihet se çfarë përfaqësojnë nuk është ndalur.

Gazetarët e Fiksit shkojnë në Bashkinë Shkodër për të mësuar më shumë për këtë rast flagrant që rëndon mbi kurrizin e tregtarëve. Në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni thuhet se nuk kanë patur apo janë në dijeni të rastit, por duke u nisur nga kjo indicie dhe problematikë që emisioni Fiks Fare ka ngritur do t’ja delegojnë organeve kompetente për ta ndjekur.Gazetarët e Fiksit shkojnë edhe në komisariatin e Shkodrës.

Edhe ky institucion njësoj si Bashkia e Shkodrës nuk kanë dijeni për gjobëvëniet kundrejt tregtarëve . Shefi i komisariatit duke mohuar të ketë patur denoncime nga tregtarët për këtë rast na thotë se ka shumë pak ditë që është në këtë detyrë dhe kjo është një vepër e rëndë penale ndaj dhe kërkon kohë për të na dhënë një përgjigje zyrtare.Por edhe pse deri më sot ka kaluar 1 javë emisioni Fiks Fare akoma nuk ka një përgjigje zyrtare nga Policia e Shkodrës për personat që edhe pse nuk dihet se çfarë përfaqësojnë vendosin gjoba kundrejt tregtarëve në tregun ‘Rus’ të Shkodrës .

Shkodra ka njohur ditë të këqija me luftën mes bandave, vrasjet për hakmarrje, gjakmarrje dhe larje hesapesh, por më e zakonshmja është gjobëvënia. Pak kohë më parë, një grup personash u kap si pjesë e një organizate kriminale që u vendoste gjoba tregtarëve të vegjël. Pesë vjet më parë policia asgjesoi këtë bandë që terrorizonte tregtarët e lagjes Zdrale, ku të akuzuarit dolën edhe para gjykatës.
Sot, pas pesë vjetësh, përsëritet e njëjta situatë por me tregtarët e lagjes ‘Rus’.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA