Një test i rëndësishëm i Megaraketës së NASA-s, ka përfunduar para kohe por agjencia mohoi që të bëhej fjalë për një dështim.

Vetëm pak para orës 22.30 minuta të së shtunës, katër motorët e asaj që njihet si Megaraketa, u ndezën duke qëndruar në punë për më shumë se një minutë, para se testi të ndërpritej.

Faza thelbësore e sistemit të lancimit hapësinor, po vlerësohej në qendrën hapësinore Stennis, në Mississipi. Motorët duhej të qëndronin ndezur për tetë minuta për të simuluar ngjitjen e raketës në orbitë. SLS është pjesë e programit Artemis të NASA-s, që synon të kthejë amerikanët në sipërfaqen e hënës në 2020. Kur të bëjë fluturimin inaugurues, me gjasë më vonë këtë vit, SLS do të bëhet raketa më e fuqishme që ka fluturuar ndonjëherë në hapësirë. Teknikët në Stennis po analizojnë të dhënat. Kjo ishte hera e parë që të katër motorët RS-25 ndizeshin njëkohësisht.

Ky ishte testi i tetë dhe final në Green Run, një program vlerësimi i kryer nga inxhinierët e NASA-s dhe Beoing, kontraktor kryesor për raketën. Ata donin të sheshonin cdo problem para se platforma të përdorej për lancimin e parë të SLS që do të dërgojë anijen hapësinore të gjeneratës së re të NASA-s, Orion, përreth hënës. Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine, nuk e quajti atë të së shtunës një dështim. Por tha se për këtë bëhen testet. Para se të vendosen astronautët amerikanë në raketa amerikane, këto të fundit duhet të jenë perfekte.

Top Channel