Zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov ka përjashtuar çdo mundësi që Sofja të heqë dorë nga kërkesat e saj në raport me Maqedoninë e Veriut, në veçanti në pjesën që ka të bëjë me identitetin e maqedonasve.
“Ne nuk duam që ata të heqin dorë nga identiteti i tyre. Ne duam diçka shumë të thjeshtë: Të jenë të mirë dhe të thonë se identiteti i tyre u krijua kur për të u krijuan kushtet”, ka theksuar Karakaçanov duke aluduar në atë se maqedonasit para vitit 1944 kanë qenë bullgarë apo se para kësaj periudhe nuk kanë ekzistuar si komb.
“Atje (në Maqedoninë e Veriut) edhe sot, përskaj gjithë peripecive të kohë, edhe përkundër terrorit që u vendos pas vitit 1994 në Jugosllavinë e Titos, ka ende shumë njerëz që e quajnë veten bullgarë. Ne kemi një detyrim moral dhe historik ndaj këtyre njerëzve”, ka theksuar Karakaçanov në një intervistë për televizionin bullgar (BTV).
”
Zëvendëskryeministri bullgar ka thënë se Sofja nuk ka mbyllur dyert e Evropës për Maqedoninë e Veriut, por se maqedonasit duhet të korrigjojnë politikën e tyre, pasi sipas tij, zgjidhja e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut është e një rëndësie strategjike.
“Ish-presidenti Petar Stojanov ka thënë se ajo (Maqedonia e Veriut) është pjesa më romantike, por unë do të shtoja pjesën më tragjike të historisë sonë… Kryeministri (maqedonas, Zoran) Zaev dëshiron kompromis, por kur bën një kompromis me politikanët e Maqedonisë së Veriut, ata nuk e shohin atë si një gjest fisnikërie, por si një dobësi. Bisedimet do të vazhdojnë, por Bullgaria nuk e ka ndërmend të ndryshojë ndonjë nga kërkesat e saja”, ka deklaruar zyrtari bullgar.
Por, edhe zyrtarët maqedonas kanë drejtuar kritika ndaj Bullgarisë duke e akuzuar për shkeljen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të arritur më 2 gusht, 2017. Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, se plani aksional që ka hartuar Sofja del jashtë kornizës së marrëveshjes.
“Tani disa muaj, sjellja e palës bullgare ka dalë jashtë kornizës së Marrëveshjes (për fqinjësi të mirë)… Propozimi nga pala bullgare ndaj planit tonë aksional nuk i përgjigjet një pjese të kërkesave tona. Ata kanë imponuar edhe ato çështje që kanë të bëjnë identitetin e popullit maqedonas. Ne atë nuk e kërkojmë. Mund të bisedojmë çdo gjithçka tjetër, por sigurisht nuk do të bisedojmë për atë se cilët dhe çfarë jemi”, ka deklaruar Pendarovski.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Sofja përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i pamundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Top Channel