14 janari regjistroi dy aksidentet të rënda në vend. Në rrugën e kombit, pranë Rrëshenit, u shuan katër anëtarë të familjes kosovare Avdiaj, të cilët do të dërgohen në Kosovë për t’u përcjellë për në banesën e fundit.

E plagosur në këtë aksident mbeti vajza e mitur, Violeta 3-vjeçare, e cila u soll këtu në spitalin e Traumës. Gjendja e saj është e rënduar pasi ka marrë plagë të shumta në kokë, në pjesën e barkut dhe të kofshës. Familja Aviaj, ishte nisur nga Kosova në drejtim të Rinasit, pasi do të udhëtonin për në Zvicër aty ku kishin edhe vendbanimin e tyre, por rrugëtimi u pre në mes.

Ndërkaq, në Tiranë, ndodhi një tjetër aksident, me një të plagosur. Drejtuesi i mjetit tip BMW, duke shkelur rregullat e qarkullimit, pasi kaloi me semafor të kuq, por edhe me shpejtësi tejet të lart, u përplas me mjetin tip Skoda, duke lënë drejtuesin e saj të plagosur.

Fatmirësisht dy kalimtaret që po kalonin në vijat e bardha sipas të gjitha rregullave, shpëtuan nga goditja shumë e fortë e dy automjeteve, në një kryqëzim, ku pothuajse në çdo orë të ditës ka policët të qarkullimit për shkak se ai segment ndodhet pranë kryeministrisë, Ambasadës Italiane por edhe bulevardit kryesor.

Sipas të dhënave të policisë rrugore, në vetëm 15 ditët e para të muajit janar, në vend janë regjistruar 66 aksidente, ku fatkeqësisht humbën jetën 11 persona. Ndërkaq, janë plagosur 70 të tjerë, gjashtë prej tyre më rëndë.

Burime të policisë, thanë se shkaqet kryesor të këtyre aksidenteve kanë qenë kryesisht lagështira në rrugë, dhe mospërgatitja e drejtuesve të mjeteve për sezonin e dimrit, pasi kryesisht automjetet janë gjetur të dala nga rruga. Shkaqe të tjera, kanë qenë shpejtësia e lartë, parakalimet e gabuara si dhe përdorimi i alkoolit.

Top Channel