Pamje nga vendngjarja

Dy ndërtuesit e konfliktuar ditën e djeshme, ku u plagos njëri prej tyre Sino Llanaj janë arrestuar ditën e sotme bashkë me tre të tjerë që ishin pjesë e ngjarjes.

Gjithashtu një person tjetër është vënë nën hetim për mbulimin e së vërtetës.

Të arrestuarit janë A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; Sino Llanaj, 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Shkëlzen Byberi., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;  Skënder Margjeka, 52 vjeç, dhe Alfred Lumani, 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Sipas policisë, Sino Llanaj së bashku me  persona të tjerë kanë shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.  Policia identifikoi  njërin prej shtetasve, për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij, i cili ka qëlluar me armë zjarri dhe po punohet për kapjen e tij.

Si ndodhi ngjarja:

Ngjarja ndodhi në vijim të një serie konfliktesh që në thelb kanë pronësinë mbi disa ndërtime në Tiranë. Ndërtuesi i plagosur është Sino Llanaj, i cili sot kishte shkuar pranë objektit në ndërtim, për të cilin ka punuar me ortakun e tij. Por pas mosmarrëveshjeve mes tyre për pjesën e pronësisë dhe shitjen e banesave, kanë nisur një seri të gjatë gjyqesh. Pak ditë më parë Llanaj ishte pranë objektit dhe pas një konflikti verbal është dhunuar nga një grup personash.

Më pas ai në një tjetër konflikt është shoqëruar nga policia siç duket edhe nga këto pamje filmike të marra nga dëshmitarët. Për shkak të konfliktit ai ishte shoqëruar nga policia. Ortaku i tij pas ngjarjes është paraqitur në komisariatin dy në Tiranë për të dhënë dëshmi dhe me alibinë se nuk ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur përplasja.

Ndërkohë që banorë të zonës konfirmojnë se mes ndërtuesve ka pasur një konflikt që burimin e kishte mbi pronësinë e ndërtimeve. Kjo konfirmohet edhe nga një prej pronareve të tokës. Jemine Durshiti është një prej pronareve të tokës ku është ndërtuar kompleksi e cila pretendon se ka ende para pa marrë nga ndërtuesi.

“ Më ka për të dhënë 4800 euro. Thotë do t’i jap por prit se jam ende në gjyqe”, thotë pretendentja e tokës së pallatit. Policia ka marrë në pyetje ndërtuesin A. A., për të mësuar se kush janë personat e përfshirë në konfliktin ku janë përdorur edhe armët e zjarrit.

Tiranë

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ndre Mjeda”.  Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi municioni, një armë e ftohtë dhe 5 aparate celular.  Specialistët  për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u plagosën me armë zjarri 2 shtetas dhe u dëmtua me sende të forta një shtetas tjetër.Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;  S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;   S. M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me  persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.  Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel