Pamje nga Korça

Qyteti i Korçës është zgjuar ditën e sotme e mbuluar nga bardhësia e dëborës.

Dëbora sipër shtëpive ka krijuar një pamje krejt tjetër në këtë mes janari. Reshjet intensive filluan mbrëmjen e djeshme duke sjellë një panoramë të mrekullueshme.

Pas disa ditëve me reshje shiu në të gjithë vendin, që solli edhe përmbytje në një pjesë të zonave, “Parisi i Shqipërisë” është mbuluar nga bardhësia.

Në zonën e Korçës të përfshira nga dëbora më parë janë Dardha dhe Voskopoja, ku dëbora e parë në Dardhë ra më 22 nëntor të vitit që lamë pas.

Duke nisur nga qyteti i Korçës e deri në zonën e Dardhës, dëbora regjistron një trashësi prej 5-10 centimetrash. Prezencë bore ka edhe në akset nacionale. Ulja e temperaturave ka krijuar dhe prezencën e akullit në rrugë, ndaj sektori i qarkullimit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes si dhe pajisje me gomat e dimrit e zinxhirë.

 

 

Top Channel