Ilustrim

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 7 persona për vepra të ndryshme penale, duke nisur nga përndjekja, tek vjedhja dhe dëmtimi i bagëtive me mjete prerëse.

Një 21-vjeçar u arrestua pas denoncimit se përndoqi vazhdimisht ish të dashurën duke i shkaktuar gjendje frike dhe pasigurie.

Ndërsa një 56-vjeçar u arrestua pasi kanosi një bashkëfshatar dhe i dëmtoi disa bagëti. Edhe tre persona të tjerë, mes të cilëve është një 19-vjeçare, u arrestuan pasi po drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Dy të tjerë përfunduan pas hekurave pasi u kapën duke kryer vjedhje.

Njoftimi i policisë:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 21 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur ish të dashurën, duke i krijuar asaj gjendje frike dhe pasigurie për jetën. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 30 vjeç, pasi në rrugën “Rexhep Jella” ka tentuar të vjedhë mjetin në pronësi të shtetasit P. K.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 20 vjeç, pasi ka vjedhur produkte të ndryshme në një market. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 56 vjeç, pasi në fshatin Priskë, Njësia Administrative Dajt, ka kanosur shtetasin A. M., si dhe i ka dëmtuar disa bagëti me mjete prerëse. 

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E.M., 36 vjeç dhe A. Z., 19 vjeçe, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. F.A., 57 vjeç, pasi në rrugën “Konferenca e Pezës”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë të qarkullimit rrugor për të bërë testin e alkoolit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel