Pas zgjedhjeve për drejtuesit e universiteteve, auditorët mbetën bosh. Këto institucione arsimore nuk pritën studentët për vitin e ri akademik, pasi muaji i parë i mësimit u lajmërua se do të zhvillohej online në kushtet e pandemisë, por kjo metodë po vijon edhe pas nëntorit, që sipas akademikëve po shkakton rënie të cilësisë së arsimimit.

Arbi Agalliu: Marrëdhënia online është e pamjaftueshme për të zgjuar interesin e studentëve. Është një proces që nuk mund ta menaxhosh vëmendjen e tyre pasi mund të jenë kudo, në kafene, punë, rrugë ,mjafton një aparat celular dhe ai është prezent në mësimin online dhe e shoh të pavend mungesën e tyre në auditore kjo sjell një mungesë në cilësi të mësimdhënies.

Veç mësimit në distancë, shqetësues për Marash Logun studentin e masterit në Fakultetin e Drejtësisë është kohëzgjatja e ciklit të studimeve, që është shkurtuar dhe justifikohet me ndikimin e pandemisë, ndërsa tarifa që do paguajë mbetet e njëjta.

Marash Logu, student: Po cungohet edhe semestri i cili minimalisht duhet të zgjaste 3-4 muaj por është shkurtuar më pak se në dy muaj. Masteri në vetvete nënkupton një specializim për studentin në tregun e punës, në fakt tashmë diploma është thjesht një karton.

Për të shpëtuar nga pasojat e rënda jo vetëm akademike  në të ardhmen, kërkesa e të dyja palëve pedagog-studentë drejtuar institucioneve shtetërore, është që mësimi në universitete të përshtatet si në shkolla, në mënyrë të kombinuar; leksionet në shtëpi dhe seminaret në auditorë.

Arber Agalliu, pedagog: Studentët duhet të kthehen në auditore,është domosdoshmëri. Sado kosto të ketë covidi në këtë moment është e pakrahasueshme më kostot sociale e akademike që do të ketë ky brez në të ardhmen. Po krijohet një vakum në marrëdhënien pedagog student.

Top Channel