Një vaksinë kundër koronavirusit, e zhvilluar nga kompania kineze Sinovac ka rezultuar me 50.4% efikasitet në provat klinike braziliane, thonë studiuesit. Kjo tregon se vaksina është më pak efektive nga të tjerat që janë miratuar, por limiti që nevojitet për të marrë miratim është 50%.
Brazili është një prej shteteve më të prekura nga Covid-19. Sinovac është një kompani biofarmaceutike me bazë në Pekin, që ka krijuar CoronaVac, për të cilën kanë bërë porosi disa vende si Indonezia, Turqia dhe Singapori.
Javën e kaluar, studiuesit në Institutin Butantan, të cilët janë kujdesur për provat klinike në Brazil. Ata deklaruan se vaksina kishte 78% efikasitet ndaj rasteve që përjetojnë formë mesatare dhe të rëndë të Covid-19. Por të dhënat e të martës zbuluan se llogaritjet për këtë shifër nuk përfshinin të dhëna për grupin e personave që përjetonin “formën e lehtë”, shkruan BBC.
Me përfshirjen e këtyre të dhënave, shkalla e efikasitetit tani është 50.4%, theksuan studiuesit. Por Butantan shtoi se vaksina është 78% efektive në parandalimin e rasteve të lehta që kishin nevojë për trajtim dhe 100% efektive në largimin e virusit tek rastet që kanë formë të mesme ose të rëndë të sëmundjes.
Testet e Sinovac kanë shfaqur të dhëna të ndryshme në shtete të ndryshme. Muajin e kaluar, studiuesit turkë thanë se Sinovac kishte efikasitet 91.25%, ndërsa Indonezia tha se kishte 65.3% efikasitet.
Top Channel