Qyteti spektakolar i gdhendur në akull e dëborë lind në festivalin e Kinës (Fotot)

09/01/2021 19:05

Festivali i 37-të i Dëborës dhe Akullit në Harbin ka nisur në Kinë, megjithë disa modifikime prej pandemisë së koronavirusit dhe një pike të re infektimi pranë tij.

Festivali dimëror është një nga eventet më të mëdha në qytetin Harbin në verilindje të Kinës, dhe tërheq mijëra vizitorë nga Kina e bota në dhjetor e janar, që prej vitit 1985.

Festivali nisi sivjet sipas planit dhe konsiderohet një simbol i fitores së Kinës në ndalimin e koronavirusit.

Megjithse festivali është hapur dhe mbushur me punime artistike në akull e dëborë, disa evente dhe performanca të tij janë anulluar siç ishte ceremonia e martesave masive e planifikuar në 5 janar.

“Të gjithë vizitorët duhet të shtojnë përkujdesjet e tyre ndaj pandemisë, të tregojnë kodet e tyre shëndetësore, të masin temperaturën dhe të mbajnë maskat e fytyrës gjatë gjithë kohës”, thuhet në një deklaratë të organizatorëve të festivalit.

‘Kodet shëndetësore’ të përmendura janë ato që çdo qytetar zotëron në celularin e tij për të verifikuar që nuk janë të infektuar me Covid-19, në një aplikacion që përdoret gjithashtu  për gjurmimin e personave në rast të infektimit.

Ky është festivali i përvitshëm më i madhi në botë në llojin e tij.

Çdo vit punëtorët nxjerrin blloqe të mëdha akulli nga lumi Songhua të cilët përdoren si material nga artistët për krijimet e tyre.

Presioni është gjithmonë për të dalë me rezultate më të mira se viti pararendës, teksa sivjet eventet kryesore pritet të jenë “Pallati i Kristalit,” një “bar akulli” tërësisht funksional si dhe një model i avionit të parë të prodhuar në Kinë, tërësisht prej dëbore.

FOTO GALERI
2/20
Dy ambjentet kryesore jane krijuar per t’u vizituar naten, ndersa nje diten.

Top Channel