Paralajmërimi i Prof. Kabos: Askush të mos presë hapje negociatash pa ndëshkimin e peshqve të mëdhenj të politikës!

04/01/2021 18:13

Profesor Përparim Kabo thotë se negociatat me Bashkimin Europian nuk do të hapen nëse nuk ndëshkohen zyrtarët dhe funksionarët që kanë shkelur ligjin.

Sipas tij duhet të kapen peshqit e mëdhenj, të cilët i grupon në 3 kategori:

Janë peshqit e mëdhenj të drejtësisë dhe kjo punë ka filluar, gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi i drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin. U fillua me ish-prokurorin e përgjithshëm.

Janë peshqit e mëdhenj të krimit të organizuar dhe me operacionin Forca e Ligjit atyre po iu sekuestrohen pasuritë. Në momentin që sekuestrohen pasuritë ata janë një hiç, nuk kanë më fuqi monetare dhe financiare dhe nuk mund të urdhërojnë askënd jashtë burgut që të bëjnë veprime apo krime.

Tani është radha e peshqve të mëdhenj të politikës. Shumë shpejt do të nisë edhe ky peshkim”.

Kabo thotë se nëse nuk ndodh kapja dhe ndëshkimi në emër të ligjit të peshqve të mëdhenj të politikës, askush të mos presë për hapje negociatash.

Po ashtu shton se marrja e vendimit nga BE në mars, një muaj para zgjedhjeve është veprim politikisht i gabuar.

Nuk hapen negociatat në mars, nuk bëhen asnjëherë para zgjedhjeve, sepse forca që është në pushtet e përdor si mjet për të fituar zgjedhjet. Pala tjetër do të thotë se BE veproi gabim, shkeli disa standarde dhe i dha atyre një metodë politike për të më kundërshtuar mua.

Duhet të ndodhë pas zgjedhjeve dhe zgjedhjet janë testi kryesor i besueshmërisë. Nëse ndonjë mendon se mund të manipulojë opinionin e Bashkimit Europian, gënjen veten”.

Sipas Profesorit, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese duhet të mbrojnë kushtetutshmërinë, institucionalizmin, dhe t’i shërbejnë historisë kombëtare.  Nëse nuk kanë shkuar me këtë qëllim, ata janë në syrin e opinionit publik, faktorit ndërkombëtar dhe ligjit.

Top Channel