Kancelarja gjermane, Angela Merkel në fjalimin për Vitin e Ri thekson se këto janë kohë të vështira për Gjermaninë, bën thirrje për solidaritet në luftë kundër virusit dhe e quan këtë luftë një “detyrë të shekullit”.
Në fjalimin me rastin e Vitit të Ri, me gjasë fjalimi i fundit për këtë rast, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pranuar, se këto kohë janë të vështira për Gjermaninë. “Këto ditë dhe javë, nuk ka asgjë për të zbukuruar janë kohë të vështira për vendin tonë. Dhe do të jetë kështu për një periudhë, tha Merkel në fjalimin e publikuar paraprakisht. “Në 2020-n erdhi tek ne diçka, të cilën bota nuk e kishte llogaritur. Një virus, deri më atëherë i panjohur depërton në trupat tanë, në jetët tona. Ai na godet aty, tek më njerëzorja: në kontaktin e ngushtë, në përqafime, në festime.”
Pandemia e Coronës dhe përballimi i saj sipas fjalëve të Merkelit paraqet “detyrën e shekullit në anën politike, shoqërore dhe ekonomike.” Në fjalimin tradicional, Merkel i falënderoi qytetarët për besimin dhe durimin e tyre. Kancelarja kujtoi edhe viktimat e pandemisë, e megjithë shpresën për vaksinimin u shpreh për durim dhe qëndrueshmëri. “Për një kohë të caktuar do të varet nga ne, se si do të dalim nga kjo pandemi. Dimri është dhe mbetet i vështirë.” Gjithsecili do duhet të japë kontributin e tij për zbutjen e pandemisë. “Ne e dimë, se çfarë mund t’i kundërvemë virusit. Krahas vaksinës, mjetin më efektiv e kemi në dorë, duke respektuar rregullat, çdonjëra e çdonjëri prej nesh.”
Një moment për t’u ndalur e mbajtur zi
“Në fund të këtij viti rraskapitës do të thotë që edhe të ndalemi një moment për të mbajtur zi”, tha Merkel. “Ne si shoqëri nuk duhet të harrojmë, se sa vetë kanë humbur një njeri të dashur, pa mundur t’i qëndrojnë pranë në orët e fundit. Unë nuk mund ta zbus dhimbjen e tyre. Por unë mendoj këtë moment për ta”, u shpreh Merkel.
Ky vit është edhe një vit “në të cilin kaq shumë njerëz janë ngritur mbi veten, pa e bërë këtë të madhe”, theksoi Merkel në fjalimin e saj të 16-të si kancelare për Vitin e Ri. Këtë na e tregojnë mjekët dhe infermierët në spitale, në shtëpitë e kujdesit dhe njësi të tjera, punonjësit në zyrat e shëndetësisë, por edhe “gatishmëria për angazhim e Bundeswehrit.” Një numër njerëzish ndihmuan që “jeta jonë të vazhdojë megjithë pandeminë: në supermarkete, në transportin e mallrave, në filialet e postës, në autobusë e metro, në qendrat e policisë në shkolla, kopshte, në kisha dhe në redaksi.” Merkel u shpreh me mirënjohje, se sa shumë njerëz e mbajnë të disiplinuar maskën, se si kujdesen të ruajnë distancën”. “Këtu shfaqet për mua qartë, ajo çfarë e bën të mundur një jetë në një shoqëri humane: ndjeshmëria për tjetrin, largimi nga epiqendra i vetvetes, vetëdija e sensit shoqëror.”
Fytyra të shpresës
Duke iu referuar fushatës së vaksinimit që filloi të dielën (27.12) në Gjermani, Merkel tha, se prej disa ditësh shpresa ka fytyrat e saj. “Ato janë fytyrat e të vaksinuarve të parë, të të moshuarve dhe kujdestareve e kujdestarëve të tyre, të personelit mjekësor në stacionet spitalore të trajtimit intensiv, jo vetëm tek ne, por në të gjtha vendet europiane dhe shumë vende të tjera.” Merkel tha, se edhe “unë do të vaksinohem, kur të më vijë radha”.
Kancelarja gjermane theksoi, se megjithë përqëndrimin tek pandemia, që e vendos vendin para detyrave “të jashtëzakonshme” Gjermania nuk duhet të harrojë edhe detyrat e tjera. “Jo vetëm që me fillimin e pandemisë, bota në të cilën jetojmë po ndryshon me shpejtësi dhe me themel.” Prandaj është kaq e rëndësishme që Gjermania “me të gjithë fuqinë dhe kreativitetin e saj” të zhvillojë ide të guximshme për të ardhmen”, si për shembull një ekonomi miqësore ndaj klimës.
Fjalimin me rastin e Vitit të Ri, që në Gjermani transmentohet në orën 20:10, Merkel e mbylli personalisht. Për shkak se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kandidoj më, “sipas të gjitha gjasave, është edhe hera e fundit që iu drejtohem si kancelare”. “Mendoj, se nuk e ekzagjeroj, nëse them: Asnjëherë në këto 15 vjet nuk e kemi ndjerë kaq të rëndë vitin që po mbaron, dhe asnjëherë, megjithë shqetësimet e skepticizmin, nuk i hedhim sytë me kaq shpresë drejt vitit të ardhshëm. Merkel u uroi të gjithëve “shëndet, besim, dhe bekimin e zotit për Vitin e Ri 2021.”/DW
Top Channel