Festa në shtëpinë e re/ Festën me fishekzjarrë do e organizojë bashkia

31/12/2020 15:39

Familja e Bajram Karajt, nga fshati Balshaban në Baldushk, do ta festojë sonte natën e ndërrimit të viteve në shtëpinë e re, një vit pasi shtëpia iu shkatërrua nga tërmeti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e uroi Bajramin për banesën e saporindërtuar dhe siguroi se puna për strehimin e familjeve të tjera nuk do të ndalet.

“Sot është dita e fundit e vitit, por jo dita e fundit e punëve për Tiranën tonë. I urojmë Bajramit dhe bashkëshortes së tij, gëzuar dhe vetëm të mira për vitin që vjen! Viti që iku ishte i jashtëzakonshëm, shumë i vështirë, një vit ku u rrëzuam nga tërmeti dhe pandemia, por u ringritëm më të fortë. Nesër do të gdhihemi për punë të reja, do të vazhdojmë me strehimin e familjeve të tjera, për ta kthyer vitin 2021 në vitin e ringritjes,”.

Një tjetër apel i kreut të Bashkisë ishte edhe për ata qytetarë që mezi presin orën e ndërrimit të viteve dhe fishekzjarrët.

“Pas të mbarojë vaksinimi do të festojmë të gjithë, por sot nuk është koha për të dalë në shesh. Bashkia do të sjellë festën në të gjitha njësitë e Tiranës, ku çdo fëmijë mund të shohë fishekzjarrët nga oborri i shtëpisë, ballkoni apo dritarja. Shpresoj shumë që të kemi një natë të qetë, pa incidente, por duke qenë se moti është i vështirë, duam që të paktën qytetarët të frenohen nga festimet e tepruara. Nuk ka nevojë t’i japin makinës të dehur. Nuk ka nevojë të ndezim fishekzjarrë me mjete rrethanore. Është shumë, shumë e rëndësishme që secili të japë ndihmën e vet dhe të na kursejë telashet, ndërkohë që fokusohemi te telashet që na sjell natyra dhe sfidat që kemi me motin”.

 

Top Channel