18 mijë kilometra me biçikletë/ Monika dhe Denisi nga Gjermania, do kalojnë festën e fundvitit në Vlorë

31/12/2020 12:22

Për Monikën dhe Denisin nuk është hera e parë që ndodhen në Shqipëri. Me turneun e tyre nëpër botë zgjodhën Shqipërinë si vend për të kaluar natën e ndërrimit të viteve. E kanë zgjedhur vendin tonë me përshtypjet më të mira për ushqimin dhe muzikën

“Jam Monika nga Gjermania, jam 31 vjeçe dhe së bashku me Denisin kishim vendosur që natën e Vitit të Ri ta kalonim në restorant mes muzikës dhe ushqimit shqiptar, por duhet të respektojmë rregullat”.

Udhëtimi i tyre nëpër botë ka filluar që prej qershorit 2019 dhe deri tani kanë përshkruar 18.000 mijë km me biçikletë dhe për ta ky lloj udhëtimi është i veçantë dhe një sfidë. Çifti nga Gjermania ndodhen në Vlorë dhe me biçikletat e tyre i gjejmë në vendet më tërheqëse, plazh, pyll apo mal.

“Kemi qenë në Shqipëri para 3 vitesh dhe e shijuam kaq shumë sa vendosëm të vijmë sërish.Vitin e Ri do ta kalojmë këtu, pasi moti është i mirë dhe njerëzit janë shumë të mirë”, shprehet Denisi.

Udhëtarët kanë një urim për një vit të qetë e të mbarë për gjithë shqiptarët, për udhëtarët që guxojnë të shëtisin botën me biçikletë dhe për të gjithë ata që po përballen me Covid-19, Monika dhe Denisi do të vijojnë rrugëtimin e tyre pas festës së Vitit të Ri.

Top Channel