Gjatë 24 orëve të fundit, 361 shtetas janë ndëshkuar me masë administrative, pasi nuk zbatuan rregullat antiCovid.

335 prej tyre janë ndëshkuar për mosvendosjen e maskës mbrojtëse, 23 për mosrespektimin e orarit të lejuar të lëvizjes dhe 3 për ushtrim aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë.

Si rezultat kontrolleve policore, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 335 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Po kështu janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Mësohet se shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte në të cilët ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 23 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 20:30, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat antiCovid.

Top Channel