Mbyllen hetimet për vrasjen e dyfishtë në Laç/ Prokuroria me prova të forta kundër autorëve të dyshuar

30/12/2020 15:34

Shtatë muaj nga vrasja e dyfishtë e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, prokuroria mbylli hetimet dhe dërgoi nën akuzë katër persona, për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

“Viktimat ishin me influencë në zonën e Laçit dhe vrasësit ishin të mirëpërgatitur dhe me role të paracaktuara, por ne nuk mundëm të gjejmë motivin”, pohon në mbyllje të hetimeve prokuroria, për vrasjen e dy burrave që u vranë në një biznes, teksa po pinin kafe.

Si provë janë sjellë një sërë kamerash sigurie, jo vetëm në biznes, por edhe në spitalin ku u dërgua të kurohej Eduart Lamaj.

Këto janë çastet kur një muaj pasi kishte kryer krimin, i akuzuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, Eduart Lamaj përcillet për t’u kuruar në një spital privat në Tiranë, ku dhe më pas u arrestua. Por ndërsa për ditë të tëra ai ia kishte dalë që të fshihej edhe pse kishte mbetur i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit gjatë atentatit, policia kishte arrestuar Kreshnik Tushën, një i ri që kishte mbetur i plagosur në një ngjarje tjetër dhe që u akuzua gabimisht për ngjarjen. Tusha nga burgu në atë kohë foli ekskluzivisht për Top Channel, duke treguar se ishte arrestuar gabimisht .

Në të vërtetë, në mbyllje, hetimet vërtetuan se Tusha ishte arrestuar gabimisht dhe se autorë të vrasjes së dyfishtë janë katër të rinjtë Eduart Lamaj, Ilir Lika, Klaudio Perkola dhe Oltion Vlashi . Prokuroria thotë se katër të rinjtë u ndihmuan dhe nga persona të tjerë të paidentifikuar, që sipas prokurorisë mbanin armë të kalibrit të lartë. I riu që u arrestua gabimisht po gjykohet veçmas, pasi nuk tregon autorët që e plagosën atë në një ngjarje tjetër.

Hetimi u veçua dhe për dy mjekët, të cilët këmbëngulin se nuk kishin dijeni se po kuronin autorin e krimit. Prokuroria hedh poshtë alibinë e Lamajt që insiston se kishte hyrë në lokal për të shkatërruar këtë biznes. Ky krim nuk ishte rrjedhojë e përpjekjeve të autorëve për të shkatërruar lokalin dhe as rrjedhojë e përpjekjeve për të mbrojtur jetën, siç pretendon Lamaj, thotë prokuroria, por ishte një vrasje e organizuar më së miri me qëllim eleminimin e tyre.

FOTO GALERI
3/31

Top Channel