Breshëri prej 30 plumbash/ Detaje të reja për vrasjen e Ridvan Ramazanit

30/12/2020 13:07

Një muaj nga vrasja e Ridvan Ramazanit, që ka edhe mbiemrin Hyseni në Shkodër, zbardhen detaje të reja lidhur me hetimet që ka kryer policia e qytetit, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij krimi të ndodhur më 28 nëntor.

Në drejtim të Ridvan Ramazanit është qëlluar me plot 30 plumba automatiku, ndërkohë brenda në makinën tip “BMW X5” të Ramazanit është gjetur një gëzhojë pistolete dhe një radio policie. Prania e kësaj radio brenda në makinën e “të fortit” të Shkodrës, ka ngritur dyshime të forta se Ramazani, ishte përgatitur për një përplasje me armë me grupin e djemve që ishin konfliktuar me djalin e tij.

Në makinën e Ramazanit, policia gjeti dhe sekuestroi një gëzhojë pistolete, gjë e cila tregon se Ramazani, ka qëlluar vetëm një herë me armë. Për këtë ngjarje të ndodhur në 28 nëntor 2020 momentalisht ndodhet në burg vetëm Mikljor Gjoka, ndërsa dy vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj, vijojnë të jenë në kërkim nga policia.

Vrasja e Ridvan Ramazanit në zonën e Dajçit në Shkodër është filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë të një karburanti dhe është parë nga dy punonjësit e këtij biznesi, Blerim Mlloja dhe dhe Marjeta Gramshi.

Autori i krimit, Duel Mehmedaj, pasi ka zbrazur të gjithë karikatorin drejt Ridvan Ramazanit, i ka bërë me shenjë vëllait të tij, Hydajetit, që të largohet me makinë, ndërsa vetë Dueli me armë në dorë është larguar nga vendngjarja në këmbë.

Siç ka rezultuar dhe nga pamjet filmike, Dueli ka qëlluar nga dy kënde pozicionimi, fillimisht ballor dhe më pas, kur Ramazani ka qëlluar vetëm një herë me armë, Dueli, është shmangur duke u pozicionuar pas makinës së Ramazanit dhe ka vijuar ta qëllojë atë me breshëri nga pas koke.
Pas vrasjes, Duel Mehmedaj, ka hyrë në ambientet e brendshme të karburantit, dhe me armë në dorë ka kërcënuar me jetë dy punonjësit e këtij biznesi, në rast se ata do tregonin në polici, se çfarë kishte ndodhur dhe kush ishin autorët.

Top Channel