Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar paketën e ndihmës për pandeminë dhe buxhetin duke evituar mbylljen e pjesshme të qeverisë.

Trump më herët kishte refuzuar të firmoste ligjin duke kritikuar shpenzimet e padobishme dhe duke kërkuar për pagesa më të larta për njerëzit e goditur nga pandemia. Vonesa ka bërë që miliona njerëz të humbasin përkohësisht përfitimet e papunësisë. Paketa e ndihmës me vlerë 900 miliardë dollarë u miratua nga kongresi pas muajsh negociata. Ajo është pjesë e një pakete shpenzimesh prej 2.3 trilionë dollarësh që përfshin 1.4 trilionë për shpenzime normale të qeverisë federale.

Ligjvënësit e Partisë Republikane dhe asaj Demokratike i kishin bërë apel presidentit ta nënshkruante ligjin para skadencës për buxhetin mesnatën e të hënës. Nëse ai nuk do ta kishte bërë këtë, disa agjenci qeveritare do të duhej të mbylleshin. Rreth 14 milionë amerikanë përballen me vonesë të fondeve të papunësisë dhe çeqeve të reja stimuluese. Tani, pagesat e papunësisë do të fillojnë. Paketa përfshin një pagesë prej 600 dollarësh për amerikanët që fitojnë më pak se 75 mijë dollarë në vit.

Trump kishte thënë se ai donte që amerikanët të merrnin 2 mijë dollarë, por republikanët në kongres nuk ranë dakord për ndryshimin. Trump po ashtu kishte kritikuar edhe fondet e përvitshme për ndihma ndaj vendeve të tjera në buxhetin federal duke argumentuar se ato para duhet të shkonin ndërkohë për amerikanët në vështirësi.

Top Channel