Bota vazhdon të paguajë një çmim të lartë për motin ekstrem në vitin 2020, sipas një raporti të fundit nga organizata e bamirësisë, Christian Aid.

Përkundër një ngecjeje të dukshme të ndryshimeve të klimës, në studim përmenden 10 evente që morën mijëra jetë njerëzish dhe shkaktuan një kosto të madhe financiare. Gjashtë nga këto evente, ndodhën në Azi, me përmbytjet në Kinë dhe Indi, që shkaktuan dëme prej më shumë se 40 miliardë dollarësh.

Në SHBA, një numër rekord uraganësh dhe zjarresh shkaktuan rreth 60 miliardë dollarë humbje.  Ndërsa bota është përpjekur t’i bëjë ballë pandemisë së koronavirusit, miliona njerëz janë përballur po ashtu me pasojat e eventeve të motit ekstrem. Një sezon uraganësh i pazakontë është lidhur me disa nga stuhitë më shkatërrimtare në Azi, ku janë regjistruar edhe humbjet më të mëdha. Gjatë një periudhe prej disa muajsh, përmbytjet në Indi shkaktuan më shumë se 2 mijë viktima dhe miliona njerëz humbën shtëpitë. Vlera e humbjeve përllogaritet në 10 miliardë dollarë.

Kina është përballur me një dëm akoma më të madh financiar nga përmbytjet që shkon deri në 32 miliardë dollarë, nga qershori deri në tetor të këtij viti. Humbja e jetëve të njerëzve në këto evente ka qenë më e vogël se në Indi.

Ndërkohë që edhe Afrika njohu evente ekstreme me pushtimin masiv të karkalecave, që rrënoi të mbjellat dhe bimësinë duke shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm ekonomik. Kombet e Bashkuara i kanë lidhur këto pushtime karkalecash me ndryshimet e klimës, me reshje të pazakonta shiu në Lindjen e Mesme dhe kepin e Afrikës në vitet e fundit që kanë kontribuar në shpërthimin e karkalecave. Edhe Evropa ka parë dëme domethënëse kur stuhia Ciara përshkoi Irlandën, Britaninë dhe disa vende të tjera në shkurt. Ajo u mori jetën 14 personave dhe shkaktoi dëme prej 2.7 miliardë dollarësh.

Top Channel