Pushka e droga e sekuestruar

Një çift bashkëshortësh janë vënë në pranga në autostradën Tiranë-Durrës në Tiranë pasi iu gjetën në makinë 2 armë zjarri tip pushkë, kokainë e kanabis.

Të arrestuarit janë Ermal Roçi, 36 vjeç  dhe Nertila Roçi, 27 vjeçe, banues në Elbasan. Ata udhëtonin edhe me dokumente të falsifikuara.

Tiranë

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Autostrada”, i zhvilluar nga forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Vihet në pranga një çift bashkëshortësh. Sekuestrohen 2 armë zjarri pushkë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, një sasi fishekësh, sasi lënde narkotike të llojit kokainë dhe kanabis dhe 1 automjet. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, forca e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se dy shtetas (burrë e grua), qarkullonin në orët e pasdites, në autostradën Tiranë-Durrës, duke mbajtur me vete sende të kundërligjshme dhe lëndë narkotike. Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Autostrada”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. R., 36 vjeç dhe N. R.(P)., 27 vjeçe, banues në Elbasan. Gjatë operacionit, nga kontrolli në mjet u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, gjatë kontrollit në banesën e këtyre  shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pushkë, dy dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.

Top Channel